Në botën e bimëve medicinale, hibiskusi është një ndër bimët më të fuqishme, por ende pak e njohur dhe e përdorur në mënyrë të plotë nga shumica e njerëzve. Me një ngjyrë intensive të kuqe dhe një aromë karakteristike, kjo lule përveçse mbresëlënëse për syrin, është edhe një fuqi natyrore shëruese që ndikon pozitivisht në shumë aspekte të shëndetit të trupit dhe mendjes.
Specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja në studion e "Rreze Dielli" në Report TV, theksoi se hibiskusi është një nga bimët më të fuqishme që natyra na ka dhuruar. Është i pasur me antioksidantë, përmirëson qarkullimin e gjakut, ndihmon në rregullimin hormonal dhe përbën një mbështetje të madhe për sistemin imunitar, sidomos kur kombinohet me bimë të tjera medicinale.
"Kjo bimë ka fuqi të jashtëzakonshme për organizmin, pasi është një antioksidant i fuqishëm, antiinflamator, antiviral si dhe është një diuretik natyral që nxit urinimin, ndihmon në largimin e toksinave, uljen e tensionit, uljen e kolesterolit" - theksoi Merja, duke vijuar se gjithashtu falë përbërësve kimikë kjo bimë mbron mëlçinë nga dëmtimet dhe pastron gjakun, përmirëson tretjen, ndihmon në lehtësimin e kapsllëkut si dhe balancon çrregullimet hormonale dhe menstruale.
Për të përfituar sa më shumë nga vetitë e hibiskusit, ai mund të kombinohet me bimë të tjera në përgatitje çaji ose ekstrakte natyrale. Ja disa nga përdorimet që rekomandon Ylli Merja:
Për uljen e tensionit të lartë
– Pihen 1 deri në 2 gota çaj në ditë me: 3 gr hibiskus, 1 dorë lule murrizi, limon dhe 1 gjethe të kuqe hardhie
Për mbështetjen e sistemit imunitar
– Në 300 ml ujë përvëlohen: 3 gr hibiskus dhe 10 kokrra trëndafil të egër
Për forcim të arterieve dhe presion të gjakut
– Pihen 300 ml çaj me: 2-3 gr hibiskus dhe 10-15 gr rrush i egër
Për veprim antifungal
– Pihen 300 ml çaj me: 1 lugë rigon, ½ lugë trumëz, 2 gr hibiskus
Kundër rritjes së qelizave kancerogjene
– Pihen 300–400 ml çaj me: 3 gr hibiskus dhe 3 gr artemisia, pasi antocianinat në hibiskus nxisin shkatërrimin e qelizave të dëmtuara
Për uljen e sheqerit në gjak
– Pihen 300 ml çaj me: 2 gr hibiskus, 3 bamje dhe 7-8 gjethe ulliri
Kundër stresit oksidativ dhe lodhjes mendore
– Pihen 300 ml çaj me: 3 gr hibiskus, 1 lugë bar blete, kamomil ose valerianë
Për lëkurë më të re dhe antiplakje qelizore
– Pihen 300 ml çaj me: 3 gr hibiskus, 1 lugë petale trëndafili dhe sherebelë
Për rregullimin e ciklit menstrual
– Pihen 300–400 ml çaj me: 3 gr hibiskus, 2 gr sherebelë dhe 3 gr mantel zonje
"Hibiskusi harmonizohet shumë mirë edhe me bimë të tjera si mendër, luiza apo molla e egër. Këto kombinime rrisin efektin qetësues, tretës dhe freskues të çajit, duke e bërë ideal për konsum të përditshëm, sidomos në periudhat e lodhjes fizike ose stresit mendor", theksoi Merja.
Kujdes!
Për personat me tension të ulët kronik ose ata që përdorin medikamente për uljen e tensionit, përdorimi i hibiskusit duhet të bëhet me kujdes dhe në konsultim me mjekun apo specialistin e bimëve mjekësore.
Komente

Nuk vjen vetem me ngjyre te kuqe,kam pare dhe te bardhe,te kuq te shpelare,si i c'ngjyrosur dhe lejla,kete variacion te fundit e gjeni me shumice ne Shqiperi.Cajin e hibiskut e kam provuar,jua rekomandoj te gjitheve.
Përgjigju