QUITO- Një gjykatë ekuadoriane kundër korrupsionit dënoi 8 persona me burg dhe sanksionoi tre kompani për rolin e tyre në një skemë të pastrimit të parave të lidhura me mafian shqiptare, njoftoi të premten (31 Janar) zyra e prokurorit në vendin e Amerikës së Jugut.
Si koka e grupit akuzohet Dritan Gjika, në kërkim nga autoritetet ekuadoriane, që akuzohet për skema fiktive të pastrimit të parave, trafik droge, drejtim të organizatës kriminale dhe krime të tjera.
Madje edhe për lidhje me personalitete të larta politike në vendin latin dhe deri te zyrtarët e Gjykatës. Kryesisht, sipas hetimeve, ai vepronte mes Ekuadorit dhe Spanjës, teksa janë sekuestruar në shkurt 2024 miliona euro në cash, asete të patundshme dhe sasi droge.
Të dënuarit ishin pjesë e një rrjeti që dërgonte drogë nga Ekuadori në Evropë, duke përdorur kompani të regjistruara për të pastruar asete me vlerë 43.4 milionë dollarë, sipas zyrës së prokurorit. Të tetë individët morën dënime nga 10-13 burg, ndërsa katër nga ata që u shpallën fajtorë ishin gjithashtu të dënuar për krim të organizuar, lidhur me mafian shqiptare. Në Spanjë, të dyshuarit e tjerë në këtë rast përballen me gjyqe të veçanta.
"Prokurorët e Ekuadorit zbuluan se një shtetas shqiptar, i identifikuar si Dritan G., (Gjika) drejtonte rrjetin kriminal, së bashku me një biznesmen argjentinas dhe një ekuadorian. Grupi u dënua për krijimin e disa kompanive për të fshehur para dhe pasuri të paligjshme të lidhura me trafikun e drogës", informon "Reuters".
Nga hetimet e prokurorisë u konstatua se drejtuesi i sipërmarrjes kriminale mbetet i lirë, por të dënuarit dyshohet se janë bashkëpunëtorë në skemë.
Operacioni kishte nisur dy vite më parë dhe skema u bë publike vitin e kaluar, pas një superoperacioni në Spanjë, ku doli në pah si drejtues edhe emri i Dritan Gjikës.
Prokuroria kërkoi një dënim nga 10 deri në 13 vjet për tetë të pandehurit dhe që të tre kompanitë të shpërndahen dhe pasuritë e tyre të konfiskohen.