Detaje të reja dalin në ‘dritë’ nga vëllezërit Sokol dhe Elson Markut të cilëve u është kërkuar sekuestrimi i pasurisë nga Prokuroria e Tiranës.
Hetimet kanë zbuluar se nga viti 2008 deri në vitin 2015, ata kanë përfituar transferta në vlera monetare të larta nga disa vende të ndryshme të BE, si Italia, Belgjika, Spanja, Suedia, Zvicra, Greqia dhe Franca.
Këto para ata i investonin në blerjen dhe tregtimin e makinave. Nga muaji mars i 2011 deri në mars të 2015, Sokol Marku ka përfituar 30 transferta me vlerë totale 12.316 euro, nga persona të ndryshëm.
Ndërsa nga korriku 2014 deri në gusht 2015, ka dërguar 1.127 euro në favor të tre personave, të afërt të tij drejt Italisë, Belgjikës, Spanjës dhe Suedisë.
Ndërkohë, Elson Marku, nga data 7 korrik deri në datën 14 korrik ka përfituar dy transferta, njëherë 1.633 franga zvicerane dhe një herë tjetër 48.235 franga.
Transferta parash ka përfutituar edhe babai i tyre. Sokol Marku, përgjatë 2008 deri në 2010 ka përfituar nëpërmjet transfertave 16.850 euro.
Ndërkohë nga periudha janar 2010 deri në gusht 2015 ka përfituar 37 transferta në vlerë totale 17.850 euro nga shtetas të ndryshëm.
Këto vlera janë futur nga Italia, Zvicra, Greqia, Gjermania dhe Franca. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se pasuria e tyre ishte regjistruar në emër të personave të tretë, kryesisht familjarë e rreth shoqëror. Në emër të dy vëllezërve Marku ishin të regjistruara vetëm disa automjete.
Ditën e djeshme, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sekuestrimin e pasurive të Sokol dhe Elson Markut të hetuar për trafik droge, pastrim parash dhe dhënie e parave me fajde. Ndër pasuritë që kanë kërkuar sekuestro, janë 18 automjete, 10 pasuri të paluajtshme apartamente e vila si dhe 2 lokale.