Pasuritë e paluajtshme ‘rrëmbejnë’ investimet e huaja, tregu i pronave mposht industrinë e energjinë

30 Mars, 14:03| Përditesimi: 30 Mars, 14:14

  • Share

Tregu i pronave në vend, ka mposhtur pozitat e sektorit të energjisë dhe të industrisë nxjerrëse sa i takon investimeve të huaja.

Prej vitit 2022, sektori i pasurive të paluajtshme është kthyer në sektorin e preferuar të investitorëve të huaj. Vetëm në vitin e kaluar kompanitë e huaja kanë blerë në Shqipëri, pasuri të paluajtshme me vlerë 325 milionë euro, që është shifra më e lartë e dekadës së fundit. Në raport me vitin e kaluar investimet në këtë fushë janë rritur me 34 milionë euro.

Pronat e blera nga të huajit janë kryesisht në bregdet, por edhe në Tiranë, dhe përdoren si për pushime ashtu edhe për qëllime biznesi. Ndikim në këtë shtim të vlerës së investimeve në këtë sektor po jep edhe rritja e çmimeve të pronave në vend, e që kanë marrë hovin më të madh pas vitit 2019. Ndërkohë prej vitit 2014, në pasuri të paluajtshme janë investuar nga jashtë 1,260 mld euro.

Deri në 2018 ishte periudha ku energjia ishte kryefjalë e investimeve për shkak të projektit TAP apo vijimit të investimit në kaskadën e Devollit. Po ashtu industria nxjerrëse edhe pse me rënie përsëri po merr vlera të konsiderueshme investimesh për shkak të operacioneve naftë-nxjerrëse në Marinzë apo në Shpirag.   

Vjet industria nxjerrëse ka përthithur investime me vlerë 270 milionë euro nga 268 milionë euro në vitin 2022, ndërsa energjia vetëm 159 milionë euro me rënie nga viti paraardhës kur u investuan 175 milionë euro.

Fluksi i investimeve të huaja në vitin 2023, arriti rekord me 1.5 miliardë euro, duke u rritur me afro 120 milionë euro në raport me vitin 2022.

Bazuar në të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë, në vitin 2018 rreth 45% e fluksit të investimeve u përqendrua në energji, ndjekur nga industria nxjerrëse me 17% dhe në vend të tretë ishte tregu REAL ESTATE që kishte përfituar vetëm 10% të fluksit të investimeve. Ndërsa në vitin 2023, afro 22% e investimeve u përthithën nga pronat, 18% nga industria nxjerrëse dhe 11% nga energjia.

INVESTIMET E HUAJA

Viti 2022       1,372 mln euro

Viti 2023       1,492 mln euro

Rritja             +120 mln euro

INVESTIME NË PASURI TË PALUAJTSHME

Viti 2022          291 mln euro

Viti 2023          325 mln euro

Rritja               +34 mln euro

INVESTIME NË INDUSTRINË NXJERRËSE

Viti 2022        268 mln euro

Viti 2023        270 mln euro

Rritja               +2 mln euro

INVESTIME NË ENERGJI ELEKTRIKE 

Viti 2022      175 mln euro

Viti 2023      159 mln euro

Rënia            -16 mln euro

G.K//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ani: 20/05/2024 21:07

    Pasurite e paluajtshme qe ju thoni nuk jane investime. Blerja e nje shtepi seshte investim. Investim eshte kur puneson njerez dhe zhvillohet dicka qe sjell pune dhe te ardhura.

    Përgjigju
  • Buba: 30/03/2024 18:23

    do vijojne te rriten derisa euro te kape vleren 112 me lekun

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?