Patëllxhanë të mbushur në disqe
Përbërësit:
- 2 patëllxhanë mesatarë
- 2 domate të kuqe
- 200 gr kërpudha
- 2 qepë të njoma ose të thata
- 100 gr djathë i fortë që shkrihet
- 2 kokrra vezë
- 2-3 lugë miell
- Kripë dhe piper
- Vaj për skuqje
Përgatitja:
Presim patëllxhanët në rrathë të trashë (rreth 1.5–2 cm). Përdorim një rreth prerës ose thikë për të nxjerrë pjesën e mesit të çdo rrathi, duke lënë një "unazë" si kornizë. Pjesën e brendshme e grijmë imët për mbushje. Vendosim unazat e patëllxhanëve në ujë me pak kripë dhe i lëmë 10-15 minuta që të nxjerrin hidhësinë, më pas i shpëlajmë dhe thajmë me letër kuzhine. Skuqim kërpudhat me pak vaj dhe qepën. Shtojmë pjesën e grirë të patëllxhanëve dhe më pas domatet. Rregullojmë shijen me kripë, piper dhe i kaurdisim derisa të zbuten. I heqim nga zjarri dhe i lëmë të ftohen pak. Kur masa të jetë e vakët, shtojmë vezët dhe djathin e grirë. Mbushim çdo unazë patëllxhani me këtë përzierje, i lyejmë me miell nga jashtë dhe i skuqim në vaj të ngrohur 2-3 minuta nga secila anë, derisa të marrin ngjyrë të artë.
Këshilla nga Albana: Mund t’i pjekësh në furrë nëse dëshiron version më të lehtë: 200°C për 20–25 minuta. Mund të shtosh edhe pak majdanoz ose kopër për freski.
Komente
