Patos- Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë pasditen e sotme në pyllin me pisha dhjetravjeçare në fshatin Gjinoqarë, bashkia Patos.
Sipas burimeve të informacionit nga banorë të fshatit dhe zjarrfikës, era po ndihmon flakët, ndërkohë që terreni është shumë i thyer dhe e bën të pamundur ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.
Rreth 4 ha pyll me pisha raportohet se janë djegur brenda pak orëve në Gjinoqarë të Patosit.
lket Halimi, shef i zjarrfikëseve në Bashkinë Patos thotë se në vëndngjarje janë 4 automjete zjarrfikëse të Patosit dhe Mallakastrës, dhe ndërhyrja është e pamundur. Po luftohet me mjete rrethanore, teksa ndihmojnë zjarrfikëset edhe banorë të zonave apo struktura të bashkisë.
Sipas kryeplakut Nuri Gllava, masivi pyjor ka pesë dekada pa pastruar, ndaj është dhe shumë e vështirë ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse.
“Nëse nuk do të ketë ndërhyrje përveç mjeteve rrethanore, situata do të dalë jashtë kontrollit, e madje rrezikohen edhe zonat e banuara të fshatrave përreth”, shprehet ai.
Përgjatë natës do të qëndrojnë në gatishmëri dy mjete zjarrfikëse, ndërsa pritet që gjatë ditës së nesërme pritet dhe ndërhyrje nga ajri.
Për momentin flakët po avancojnë të favorizuara nga era. Ky pyll u dogj afro 3 vjet më parë, ndërsa për momentin nuk rrezikohen banesa të fshatit, pasi pylli ndodhet midis fshatrave Gjinoqarë dhe Drenie.
Komente
