Patozi: Jepini vetes një shans më 30 qershor

24 Qershor 2019, 11:42| Përditesimi: 24 Qershor 2019, 11:48

  • Share

Për të gjithë ata shqiptarë, të cilët nuk e pranojnë, refuzojnë apo e urrejnë këtë qeveri, kemi një ftesë të sinqertë dhe miqësore. Nuk ka rëndësi partia apo krahu politik, që përfaqësoni apo simpatizoni, sepse vlerë ka vetëm bindja juaj.

Ju keni të drejtë që ndjeheni të zhgënjyer, të nëpërkëmbur, të fyer dhe të pështirosur prej kësaj qeverie. Ju jeni plotësisht të përligjur, kur zini hundët me duar sa herë dëgjoni apo lexoni përgjimet e përfaqësuesve të “Rilindjes“ në Durrës, Shijak apo Dibër, dhe të jenë të bindur që ato nuk janë raste të veçuara.

Është shumë e vërtetë që Edi Rama dhe qeveria e tij nuk kanë lënë rast pa na treguar këto 6 vjet se janë një ekip i korruptuar dhe arrogant, që i ka vënë shkelmin çdo parimi, duke kryer dhe konsumuar vepra të rënda kundër interesit publik në Shqipëri.

Është plotësisht e qartë për secilin prej jush se janë të panumërta skandalet, aferat dhe abuzimet me pushtetin, që mbajnë firmën dhe vulën e kësaj qeverie.

Por është po kaq e vërtetë se e vetmja mënyrë për të “marrë hak” në këtë sistem, që vetë e kemi pranuar prej vitit 1990, është vota juaj. Natyrisht edhe drejtësia, por atë nuk e kemi ne në dorë, dhe jemi ende larg ditës kur ajo mund të veprojë edhe mbi mëkatarët e gjithëpushtetshëm, të cilët deri më sot nuk janë ndëshkuar asnjëherë.

Në kushtet ku ndodhemi ka vetëm një mënyrë për ta shprehur zemërimin dhe refuzimin tua!

Votoni BINDJEN DEMOKRATIKE, si forca politike më e re dhe më e strukturuar, që garon në këto zgjedhje përballë “Rilindjes” dhe Edi Ramës.

Nuk po duam të zgjatemi për të shpjeguar arsyet se përse ndodhemi në këtë situatë të pazakontë, ku jo të gjithë aktorët kryesorë politikë marrin pjesë në sfidën e 30 qershorit. Ne do të kishim dashur shumë që Shqipëria të ndodhej në një fushatë normale zgjedhore, ku mundësisht çdo parti të ishte përfshirë në të, por edhe ju e dini njësoj si ne, se nuk kemi dhe nuk mbajmë asnjë përgjegjësi për këtë gjendje.

Askush prej jush nuk duhet të mbetet peng i një keqkuptimi apo sedre, për shkak se mund të mos e gjejë në fushë fanellën e ekipit të vet të zemrës. Sepse gabime në vendimmarrje të rëndësishme janë bërë edhe në të shkuarën, por jeta politike ka vijuar normalisht dhe ata që i kanë kryer janë përpjekur që t’i korrigjojnë rrugës dhe të marrin sa më pak kosto prej tyre.

Jemi plotësisht të bindur se e njëjta gjë ka për të ndodhur edhe pas 30 qershorit, e cila nuk ka arsye pse të shënojë Vaterlonë e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës në Shqipëri. Sepse nuk ka për të qenë e tillë, edhe pse shumë ujëra mund të mos rrjedhin më njësoj për këtë vend pas këtyre zgjedhjeve vendore.

Ndaj edhe po ia lejojmë vetes për t’ju ftuar që të votoni kundër kësaj qeverie, duke e shfrytëzuar praninë e BINDJES DEMOKRATIKE tek fletët e votimit në pjesën më të madhe të bashkive të vendit me kandidatët e saj për kryetarë dhe për këshilltarë, kudo ku ne marrim pjesë.

Do të ishte e vetmja mënyrë për ta matur pakënaqësinë e madhe të shqiptarëve ndaj kësaj qeverie në këto zgjedhje, të cilat me gjithë defektet e tyre serioze, sipas të gjitha gjasave, do të mbahen.

Kjo është një datë që as e kemi kërkuar dhe as e kemi zgjedhur ne. Por ajo duhet të shndërrohet në një ditë kur Edi Rama dhe “Rilindja” e tij e korruptuar dhe e diskretituar duhet të marrë një mesazh të fortë, se jo vetëm nuk ka arsye të mburret, por duhet të ulë kokën poshtë dhe të presë ndëshkimin e merituar në zgjedhjet e para, që do mbahen pas 30 qershorit.

Natyrisht, që një ftesë të tillë, as do të kishte kuptim dhe, as nuk do të kishim guxuar ta bënim në kushte të tjera. Kjo është një rrethanë e krijuar pa dëshirën dhe zgjedhjen tonë, ndaj edhe kemi qenë të detyruar të përshtatemi. Sot nuk është dita për të shpjeguar gjatë pse-në dhe as për të gjetur përgjegjësitë, sepse zgjedhjet tashmë janë vetëm një javë larg.
Ndaj i drejtohemi me përulësi çdo zgjedhësi shqiptar, që është kundër kësaj qeverie, pavarësisht partisë që përfaqëson apo simpatizon, se nuk duhet ta humbë këtë shans.
Kjo qeveri duhet ndëshkuar me votë dhe rrëzimi i saj duhet të fillojë më 30 qershor.

Voto bindjen tënde për Shqipërinë e së nesërmes!

Komento

Komente

  • Alb: 24/06/2019 14:56

    Zotí Patozi Shqiperia vertet ka nevoje per nje opozite dinjitoze, te ndertuar mbi vlera, me koncepte dhe ide te reja, dhe te drejtuar politikisht nga perendimi.... Jam e sigut qe ne keto zgjedhje Demokratet e vertete do ju besojne voten e Tyre sepse prej kohesh PD nuk I perfaqeson me... Ju urroj suksese dhe Le te filloje me ju shpresa e Shqiptareve per tju bashkangjitur BE

    Përgjigju
  • Para Laci: 24/06/2019 12:10

    O pis burre cfar shansi do ti o kokrra e ligenit,o buk shkelsi i PD po' ik se do e gjesh te Rama apo ju ka dhene donje leke

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?