Pavarësia e Shqipërisë, konferencë për ndikimin që pati Austro-Hungaria, historianët: Ja pse na ndihmoi dhe cilat qenë figurat shqiptare që përgatiti! Si u pa në diktaturë ish-perandoria

31 Mars 2022, 17:57| Përditesimi: 31 Mars 2022, 18:10

  • Share

Një letër e shkruar në 12 nëntor të 1912-ës, nga disa prej figurave që dy javë më vonë do të firmosnin Deklaratën e Pavarësisë, është vetëm një nga dëshmitë e shumta arkivore të ndikimit të Austro-Hungarisë në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Diplomatë e historianë e kujtojnë kontributin kyç të ish-Perandorisë në një konferencë ndërkombëtare shkencore të mbajtur nga Instituti i Historisë dhe Ambasada e Austrisë në Tiranë.

“Austro-Hungaria është fuqia kryesore evropiane e madhe që ka rolin më pozitiv në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Synimi ishte që Shqipëria të kishte kufijtë e saj sa më të gjerë, në trojet etnike shqiptare jo më tej. Pra nuk ka pasur ndonjë projekt austro-hungarez që të kishte territore të huaja brenda shtetit shqiptar. Por, projekti që paraqiti Austro-Hungaria ishte një projekt kompromisi, sepse e dinte që përballë kishte Fuqitë e Atlantës një bllok shumë i fuqishëm, që kërkonte të limitonte sa më shumë ekzistencën e shtetit shqiptar dhe kufijtë e tij”, shprehet akademiku dhe historiani Beqir Meta.

Si një nga fuqitë kryesore vendimmarrëse në Evropë, studiuesi Afrim Krasniqi e shikon rolin e Austro-Hungarisë në Shqipëri  në vitet 1912-1914, të lidhur me politikën e një skene ndërkombëtare.

“Ata luajtën rol specifik dhe gati vunë veton në njohjen e shtetit shqiptar për shkak se interesat tona u përputhën me interesat e tyre. Qëllimi i tyre kryesor ishte jo vetëm fundi i Perandorisë Osmane, por edhe ndalimi daljes së Serbisë në det, dhe kufizimi i hapësirës sllave në Ballkan, gjë që ishte përshtat me ne”, thotë historiani Afrim Krasniqi, njëherazi drejtor i Institutit të Historisë.

Studiuesi sjell në vëmendje investimin e ish-perandorisë në rrugë, shkolla, gazetat e para shqiptare, por edhe tek përgatitja e elitës kulturore e politike deri në vitet ’70 në shtetin austriak.

“Mund t’ju përmend, që nga figurat e krijimit të shtetit, siç është mbreti Zog, deri tek historiani Aleks Buda. Ata investuan edhe për krijimin e katedrave, tezave shqiptare  dhe në misione ndërkombëtarë, duke pasur një efekt të madh sepse ishin një zë i besueshëm ndërkombëtar. Bëhet fjalë për një investim që për ne ishte jetik, për periudhën kur ne nuk ekzistonim, kur ne krijuam shtetin tonë”, shton më tej Krasniqi.

Sistemi komunist, siç shpjegojnë historianët do kishte një qasje më pak armiqësore me Austrinë, krahasuar me vendet e tjera kapitaliste. Faktet historike të ndikimit të saj në pavarësinë e vendit do të silleshim, edhe pse me një qasje të njëanshme, pa dhënë impaktin që patën nismat pozitive të ish-perandorisë.

Duke iu referuar sintezës të Historisë Shqiptare të vitit 1984, komentet që bëhen kanë konotacione ideologjike negative, madje ndonjëherë këto komente bien në kundërshti me vetë faktet që vendosen brenda tekstit që e paraqesin si politikë imperialiste, pra që kishin interesa për ‘ta gllabëruar’ Shqipërinë etj.”, thotë Meta.

“Në periudhën pas viteve ‘20 nuk kemi më Austri-Hungari, por kemi marrëdhënie Austri-Shqipëri dhe  Hungari-Shqipëri, të cilat fatmirësisht nga vitet ‘20 deri në ditët e sotme kanë funksionuar. Edhe pse në periudhën komuniste u ndërprenë mardhëniet me Austrinë për një periudhë të caktuar për arsye ideologjike, interesat austriake përsëri ishin aktive  në Shqipëri, sepse qendrat kryesore që studionin Shqipërinë u vendosën në Austri. Gjithashtu figurat kryesore të emigracionit u vendosën në shkollat austriake dhe disa nga botimet më të mira i kemi prej tyre”, shton Krasniqi.

Pas rënies së diktaturës, Austria do të jetë sërish mbështetës në zhvillimin e kombit shqiptar, por edhe në plotësimin e historisë së tij.

“Pas viteve ’90 kemi pasur marrëdhënie nga më pozitivet, qoftë për mbështetjen e Shqipërisë në procesin integrues, qoftë në njohjen e Kosovës. Pra, është ndjekur një nga politikat më miëqësore. Mendoj që raportet shqiptaro-austriake janë nga më pozitivet në rajon”, shprehet akademiku Meta.

“Me ardhjen e demokracisë, ne e shfrytëzuam këtë lloj aksesi dhe sot ne kemi një numër të madh botimesh dokumentare që lidhen me dokumenta austro-hungareze dhe bëhet fjalë për volumin më të madh të dokumenteve që ne kemi botuar nga një shtet tjetër . Bëhet fjalë për një periudhë që nga Lidhja e Prizrenit deri në vitin 1920, ndërkohë që kohët e fundit kanë dalë edhe 5 vëllime për Kosovën, botuar nga Oliver Schmitt dhe studiues të tjerë austriak... Pra e gjitha kjo do të thotë se vazhdon të ndihet prezenca dhe ndikimi i tyre kulturor, çka përbën një dallim të madh nga shtetet e tjera”...

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?