Partia Demokratike akuzon qeverinë për keqmenaxhim të sektorit energjetik, për shkak se borxhet e kompanive publike janë në shifra rekord. Anëtari i kryesisë së PD-së Eno Bozdo shprehet se e Shqipëria ka çmimin e energjisë më të lartë në rajon, por sërish kompanitë janë në kolaps ekonomik.
“Rama dhe qeveria e tij rritën ndjeshëm çmimin e energjisë në emër të shëndoshjes ekonomike të tri ndërmarrjeve publike që zotërojnë sektorit: KESH, OST dhe OSHEE. Një dekadë më vonë, të treja kompanitë, sipas të dhënave të vetë Ministrisë së Financave, i kanë borxh shtetit, domethënë shqiptarëve, afro 600 milionë euro! Por nuk mbaron me kaq: vetëm detyrimet e ndërmarrjeve të Ujësjellës-Kanalizime ndaj OSHEE janë rreth 380 milionë euro. Por ka edhe një të dhënë tjetër edhe më shqetësuese: detyrimet e ndërsjella mes kompanive publike dhe qeverisë janë rreth 1,7 miliardë euro”, thotë Eno Bozdo, anëtar i kryesisë së PD.
Më tej ai shtoi se kjo shifër tregon kolapsin ekonomik të sektorit energjetik, keqmenaxhimin e qeverisë në këtë sektor.
“Një shifër absurde por që tregon realisht kolapsin ekonomik të sektorit energjetik, keqmenaxhimin katastrofik, hajdutërinë dhe korrupsionin që karakterizon rilindjen edhe në këtë sektor. Prandaj Shqipëria e ka çmimin e energjisë të dytin më të lartë në rajon. Kompanitë e sektorit prej një dekade tashmë vuajnë, jo vetëm nga korrupsioni i niveleve të papërshkrueshme, por nga militantizmi i skajshëm politik. Me paratë e vjedhura vota blihet, dhe ai që nuk blihet, shantazhohet. Një qeveri teknike do të mundësonte disa kushte minimale për zgjedhje të lira”, shtoi Bozdo.