Selia e Partisë Demokratike

Politikë

PD ankimon edhe Qarkun Tiranë: Na mbyllën TikTok-un para zgjedhjeve! Nuk kishim akses në media (Berisha dominoi hapësirën televizive gjatë fushatës)

29 Maj, 16:27| Përditesimi: 29 Maj, 16:45

  • Share

Partia Demokratike ka ankimuar në KAS çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit nga KQZ edhe për Qarkun Tiranë, ku humbi 4 deputetë në krahasim me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Sipas demokratëve, të cilët shënuan një humbje të thellë, në Qarkun Tiranë, administrata publike dhe strukturat shtetërore janë përdorur masivisht në dhënien e bonuseve apo avantazheve në natyrë ndaj shtresave të ndryshme sociale, në funksion të interesave elektorale të Partisë Socialiste në pushtet prej 12 vitesh tashmë.

“Këto institucione, sipas Kushtetutës dhe ligjit, duhet të ruajnë neutralitetin politik, përfshirë shpesh herë administratën e bashkive, agjencitë shtetërore, entet publike dhe ndërmarrjet janë vënë në mënyrë të hapur në shërbim të partisë në pushtet. Praktikisht, thuajse të gjitha bashkitë e Qarkut drejtohen nga PS, dhe këto të fundit, së bashku me kryetarët e tyre dhe administratat përkatëse, janë angazhuar gjatë gjithë periudhës parazgjedhore dhe asaj zgjedhore në mbështetje të listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në Tiranë. Veprimtaria e strukturave publike në fakt, nisi herët këtë vit, që në muajin janar, nën thirrjen për regjistrimin e emigrantëve, në “fushatën për regjistrimin e Diasporës” që filloi më 11 janar 2025 me hapjen e PER nga QKZ. Jo se nuk kishte aktivitet edhe përpara kësaj date, por me 11 janarin kulmoi edhe puna në terren dhe jashtë vendit të tyre. Kjo përfshiu organizimin e takimeve intensive jo vetëm brenda vendit, por edhe në Itali, Greqi, SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Belgjikë, Kanada, por edhe në vende të tjera ku jetojnë emigrantë shqiptarë”,- pretendon PD.

Ndonëse raporti i monitorimit 30 ditor nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), i miratuar edhe nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, tregoi se Sali Berisha dominoi hapësirën televizive gjatë fushatës, demokratët pretedojnë se aksesi i opozitës në media ka qenë i kufizuar. Për më tepër, shkak të qenësishëm të rrënimit elektoral, Partia Demokratike quan edhe mbylljen e TikTok para zgjedhjeve.

“Edhe në media, aksesi i opozitës është mjaft i kufizuar, shtuar kjo edhe censura, autocensura, mbyllja e rrjeteve sociale si ai TikTok vetëm 60 ditë para zgjedhjeve. Madje, raporti i OSBE-ODIHR është tejet kritik ndaj kontrollit, censurës së medias apo autocensurës së saj. Kjo krijon një disproporcion të skajshëm në kapacitet, dukshmëri dhe aftësi mobilizimi të Opozitës”,- pretendon PD.

Demokratët shprehen se falja e borxheve, amnistia e një game të gjerë detyrimesh me VKM-në e datës 9 maj 2025, vetëm 2 ditë nga zgjedhjet, e kryer nga qeveria shqiptare dëshmon për një kapje totale të shtetit.

“Së dyti, falja e borxheve, amnistia e një game të gjerë detyrimesh me VKM-në e datës 9 maj 2025, vetëm 2 ditë nga zgjedhjet, e kryer nga qeveria shqiptare, një akt ky totalisht në kundërshtim me Aktin Rregullator të vitit 2020 të KQZ i cili ndalon kategorikisht 4 muaj para zgjedhjeve deri në ditën e zgjedhjeve, propozimin apo marrjen e vendimeve për amnisti apo falje detyrimesh financiare ndaj shtresave të popullsisë, si dhe më keq akoma, mosmarrja e masave urgjente për pezullimin / bllokimin e kësaj nisme nga KQZ (edhe pse u vu në lëvizje me ankimim urgjent nga PD-ASHM brenda datës 09.05.2025), dëshmon për një kapje totale të shtetit, një nivel sigurie absolute që shkelja e ligjit me të dy këmbët nga vetë qeveria por edhe nga KQZ, nuk do t’i kushtojë asgjë në raport me ligjin, por vetëm do t’i sjellë Partisë-Shtet benefite dhe avantazhe politike dhe elektorale të jashtëzakonshme, të paparashikueshme. Pa cekur këtu faktin se këto nisma ishin një nga premtimet kryesore të Opozitës në fushatë dhe rrjedhimisht kopjimi i tyre dëmtonte drejtpërdrejt edhe PD-ASHM”,- pretendon PD.\

Partia Demokratike rendit si pjesë të farcës elektorale edhe përplasjen mes deputetit Erion Braçen dhe eksponentëve të opozitës, pasi këta të fundit më 11 maj pretendonin se kishin zbuluar një zyre elektorale të padeklaruar të Partisë Socialiste pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”, nga ku sipas tyre orkestrohej blerja e votës dhe shantazhi i votuesve. Faktikisht e vërteta sipas Policisë së Shtetit është e kundërta. Nga kontrollet e bluve në zyrën në fjalë, me kërkesë të PD, nuk u gjet asnjë dokument, listë apo hartë, që mbështeste aludimet e demokratëve.

“Rasti i zbulimit të zyrës ilegale të PS tek “Petro Nini Luarasi”: Më 11 maj 2025, në një deklaratë për mediat, Belind Këlliçi denoncoi ekzistencën e një zyre elektorale të padeklaruar të Partisë Socialiste pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”, të cilën ai e cilësoi si “rast të paprecedentë”. Sipas tij, deputeti Erion Braçe pretendonte se ishte zyra e tij e punës, ndërkohë që disa të rinj, përfshirë një drejtoreshë të një institucioni shtetëror, u larguan me shpejtësi nga ambienti sapo u pikasën nga përfaqësues të PD-së dhe gazetarë. Brenda zyrës, Këlliçi pretendon se u konstatua prania e personave që punonin me laptopë, me harta dhe lista, duke përfshirë edhe një dosje për blerje votash dhe shantazh ndaj votuesve”,- pretendon PD.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

K.M/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kuvendi, si e vlerësoni punën e legjislaturës që po mbyllet?