Politikë

PD ankimon në KAS rezultatin e zgjedhjeve të 11 Majit në Gjirokastër: Administrata u përdor për presion ndaj votuesve

27 Maj, 16:14| Përditesimi: 27 Maj, 16:23

  • Share

Koalicioni opozitar PD-ASHM ka depozituar në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) një ankesë të fortë kundër miratimit të tabelës përmbledhëse të rezultateve të zgjedhjeve të 11 majit në Qarkun Gjirokastër.

Sipas PD-ASHM, procesi zgjedhor në këtë qark ka qenë i manipuluar në mënyrë sistematike dhe ka prodhuar një rezultat që nuk pasqyron vullnetin real të qytetarëve. Në dokumentin zyrtar të ankimimit, koalicioni thekson se janë përmbushur të gjitha kriteret ligjore për shqyrtimin e kërkesës nga KAS, përfshirë legjitimitetin, kompetencën dhe afatin ligjor të paraqitjes.

“Zgjedhjet në Gjirokastër ishin një farsë e pastër! Administrata publike është përdorur si instrument presioni, si ‘makineri’ për të mbledhur vota për Partinë-Shtet. Asnjë barazi, asnjë transparencë, vetëm trysni, shpërblime dhe frikësim i votuesve,” -thuhet në ankesën e PD-ASHM.

Sipas opozitës, janë siguruar prova, indicie dhe dëshmi të mjaftueshme që faktojnë se në çdo Qendër Votimi në Gjirokastër ka pasur parregullsi të rënda, përfshirë angazhimin e funksionarëve shtetërorë në fushatë, shpërndarje ndihmash në këmbim të votës dhe kërcënime direkte ndaj mbështetësve të opozitës.

“Administrata lokale dhe degët e ministrive në territor u kthyen në zgjatime të partisë në pushtet. Shërbimet publike u përdorën si monedhë këmbimi. Kemi të bëjmë me një shtet të kapur plotësisht nga logjika elektorale,” - vijon në ankimim PD-ASHM.

Koalicioni opozitar akuzon se këto zgjedhje janë shembull i rënies së garës demokratike dhe vendosjes së një sistemi të deformuar zgjedhor, ku partia në pushtet garon me të gjitha instrumentet e shtetit në dorë, ndërsa opozita kufizohet në burime, akses në media dhe mbështetje institucionale.

Në përfundim, PD-ASHM i bën thirrje KAS-it të pranojë ankesën dhe të shpallë pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Qarkun Gjirokastër, duke kërkuar përsëritjen e votimit në kushte të barabarta dhe të ndershme.

“Zgjedhje të lira nuk ka aty ku vepron Partia-Shtet!” -shkruhet në ankimim. 

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron ndryshime në parti e qeveri, si e vlerësoni?