Partia Demokratike e degës Berat ka denoncuar Bashkinë e Beratit se po shkel ligjin dhe Kodin Zgjedhor duke kryer punësime për qëllime elektorale. Në denoncimin e saj, PD Berat shprehet se Këshilli Bashkiak ka punësuar 16 punonjës në Drejtorinë Arsimore të bashkisë për qëllime elektorale. PD citon një vendim të Këshilli Bashkiak Berat i datës 28 janar 2021 ku thotë se numri i punonjësve të Drejtorisë Arsimore të Bashkisë Berat është shtuar me 16 persona duke e çuar në 740 numrin total të tyre, dhe për PD kjo është fakt i qartë se emërime të tilla 3-mujore bëhen vetëm për arsye elektorale. PD Berat shprehet se kjo çështje kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Deklarata e plotë e PD-së Berat
Bashkia e Beratit shkel Kodin Zgjedhor, kryhen punësime elektorale! Me miratim të Këshillit Bashkiak punëson 16 punonjës në Drejtorinë Arsimore të bashkisë. Bashkia e Beratit duket qartë që po i shërben partisë më pushtet dhe duke shkelur Kodin Zgjedhor po kryhen punësime elektorale në kundërshtim me ligjin. Në vend që t’i shërbejë qytetarëve,Bashkia e Beratit është shndërruar në një mekanizëm në shërbim të pushtetit dhe këtë po e bën duke shkelur ligjin me të dyja këmbët.
Nëpërmjet vendimit Nr.4,datë 28.01.2021, Këshilli Bashkiak Berat ka shtuar numrin e punonjësve të Drejtorisë Arsimore të Bashkisë Berat me gjashtëmbëdhjetë (16), duke e çuar në 740 numrin total të tyre dhe është e qartë se emërime të tilla 3-mujore bëhen vetëm për arsye elektorale.Një gjë e tillë është shkelje e hapur e vendimit Nr. 9,dt.24.12.2020 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (Komisioni Rregullator),i cili në Kreun III-të të këtij vendimi (KATEGORITË E VEPRIMTARIVE PUBLIKE TË NDALUARA),Neni 3 (PIKA 1.3/d),në periudhën 4-mujore përpara zgjedhjeve NDALON: “...marrjen në punë, pushimin nga puna,lirimin,lëvizjen dhe transferimin në detyrë në institucionet apo entet publike...”
Kjo kundravajtje administrative kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve. Emërimet e militantëve në kohë fushate nuk janë zgjidhje për problemin e papunësisë që ka Bashkia e Berait por janë thjesht hedhje "hi" syve atyre që kanë qejf të gënjehen.