Partia Demokratike ka ngritur akuza ndaj Bashkisë Tropojë dhe drejtueses së saj të përkohshme.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, u shpreh se Bashkia Tropojë ka sfiduar haptazi dy vendime të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), që lidhen me tenderin për ndërtimin e rrugës “Auto Kika – Gj. Dragobisë – Qafë Paje”, me një fond limit prej 82.9 milionë lekësh.
Sipas PD, pavarësisht vendimit të parë të KPP-së më 3 shtator 2025, që urdhëronte rivlerësimin e procedurës së tenderit, dhe vendimit të dytë më 23 shtator, që ndalonte vazhdimin e procedurës pa respektuar udhëzimet e KPP-së, Bashkia Tropojë e ka anashkaluar këtë urdhër duke vazhduar të skualifikojë operatorin me ofertën më të ulët të njëjtin operator në ankesën e të cilit KPP kishte gjetur shkelje nga ana e autoritetit kontraktor.
Deklarata e Genta Vangjelit:
‘Bashkia Tropojë, nën drejtimin e përkohshëm të Znj. Zyra Islamaj tashmë e marrë zyrtarisht si e pandehur nga SPAK për procedura tenderimi ka sfiduar hapur vendimet e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP). Pas vendimit të parë të KPP-së të datës 3 shtator 2025, i cili urdhëronte Bashkinë Tropojë që të rivlerësonte procedurën e tenderit me objekt 'Ndërtim i rrugës Auto Kika – Gj. Dragobisë – Qafë Paje', me fond limit 82.9 milionë lekë, KPP është detyruar të ndërhyjë sërish me një vendim të dytë më datë 23 shtator 2025, duke ndaluar autoritetin kontraktor të vijonte me procedurën dhe duke urdhëruar rivlerësim sipas përcaktimeve të vendimit të marrë nga ky komision.
Megjithatë, në kundërshtim të hapur me këtë vendim detyrues, më 3 tetor 2025, Bashkia Tropojë ka përsëritur të njëjtin standart, duke lënë në fuqi skualifikimin e operatorit me ofertën më të ulët pikërisht atë operator mbështetur në ankesën e të cilit KPP kishte konstatuar shkelje në veprimet e bashkisë. Ky akt përbën një sfidë të hapur ndaj KPP-së, dhe organeve të drejtësisë, dhe tregon se si zyrtarët lokalë të mbështetur nga qeveria e Edi Ramës ndihen të paprekshëm përballë ligjit.
Partia Demokratike kërkon me urgjencë që të zbatohen menjëherë dhe në mënyrë rigoroze vendimet e KPP-së, duke respektuar rendin hierarkik të parashikuar nga Ligji për Prokurimet Publike dhe të penalizohen zyrtarët që kanë shpërdoruar detyrën duke dëmtuar interesin publik dhe qytetarët.
Komente
