Partia Demokratike ka kërkuar dorëheqjen e Klotilda Bushkës si kryetare e Komisionit të Ligjeve.
Nënkryetarja demokrate e ligjeve Dhurata Çupi tha se ky komision nuk mund të zvarritet nga prangat e Veliajt.
‘Si nënkryetare e Komisionit të Ligjeve, jam shumë e keqardhur për qëndrimin antishtet të mbajtur nga Kryetarja e Komisionit të Ligjeve gjatë hetimit të miqve të saj politikë dhe të biznesit, Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa. Pengimi i hetimeve, duke ndihmuar në shkatërrimin e telefonit si mjet për provat e korrupsionit të çiftit Veliaj-Xoxa. Pengimi i hetimeve duke orientuar dëshmitarët të japin dëshmi të rreme. Pengimi i hetimeve për të mësuar se kompania guackë e Ajola Xoxës kishte adresën e shtëpisë së Kryetares së Komisionit të ligjeve. Të gjitha këto akte janë të dënueshme moralisht, politikisht dhe penalisht.
Por ndërsa me pjesën penale le të merret SPAK-u, si opozitë, kemi detyrimin të ngremë zërin kundër keqpërdorimit të Parlamentit dhe Komisionit të Ligjeve në aferën korruptive të Erion Veliajt. Komisioni i Ligjeve, Këshilli i Mandateve, Sekretariati për procedurat votimet dhe etiken, është keq përdorur këto vite për të mbrojtur paligjshmërinë e Edi Ramës përmes ligjeve me porosi, dënimit me porosi të opozitës apo mbrojtjen me porosi të mandateve antikushtetuese. Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, duhet të japë dorëheqjen’, tha ajo.
Deputetja socialiste Klotilda Bushka, njëherazi kryetare e Komisionit të Ligjeve është nën hetim nga SPAK. Bushka, është vënë nën hetim nga SPAK pasi akuzohet se ka penguar zbulimin e së vërtetës lidhur me hetimet ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili u arrestua më 10 shkurt, me urdhër të SPAK
Komente
