Partia Demokratike denoncoi sot (8 maj) nëpërmjet një konference për shtyp të dhënë nga drejtuesja politike e diasporës Jozefina Topalli, njëkohësisht kandidate në listën e sigurt për deputete, e shoqëruar edhe nga përfaqësuesi ligjor Franc Nuri.
Ata kanë denoncuar ditën e sotme një tjetër seri problemesh që lidhen me zarfe të votimit të diasporës.
Topalli, në deklaratën e saj për media, shprehu shqetësimin e vazhdueshëm për skemat e krimit zgjedhor, veçanërisht në Greqi, duke theksuar se kjo është një thyerje serioze që ka kaluar nga shqetësim në një alarm për integritetin e votës në këtë pjesë.
Ajo nënvizoi gjithashtu se gjatë kësaj periudhe janë shprehur shqetësime nga qytetarët shqiptarë në Greqi, të cilët po hasin vështirësi të mëdha për të marrë zarfe votimi, pasi ato nuk arrijnë në adresat e tyre, ndërkohë që kutitë me fletë votimi të mbushura vazhdojnë të mbërrijnë në Tiranë.
Topalli ngriti shqetësimin se kjo situatë është pjesë e manipulimit të mundshëm të procesit zgjedhor në Greqi, duke përmendur se vetëm në këtë vend ka kutia të mbushura, ndërsa qytetarët nuk kanë mundësi të marrin fletët e votimit.
Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Franc Nuri, në një konferencë për mediat, theksoi shqetësimet lidhur me procedurat e ndarjes dhe numërimit të votave të ardhura nga jashtë, sidomos ato nga Greqia.
Ai bëri me dije se, nga aspekti juridik dhe ligjor, PD do të depozitojë me urgjencë një kërkesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke kërkuar sqarime dhe veprime për trajtimin e këtyre zarfeve në mënyrë të veçantë, për të parandaluar problematika të mundshme në procesin zgjedhor.
Deklarata e Jozefina Topalli:
“Vazhdojmë të kemi njoftime të skemave të krimit zgjedhor, në mënyrë të veçantë në Greqi, që është thyer jo vetëm në shqetësim, por në një alarm për integritetin e votës në këtë pjesë.
Ndërkohë që gjatë kësaj periudhe kemi shprehur shqetësimin tonë, të përcjellë nga qytetarë shqiptarë që jetojnë në Greqi, në zona të ndryshme, se ata e kanë të pamundur që të marrin zarfe.
Zarfat nuk shkojnë në shtëpi dhe ata nuk i gjejnë aty. Pra, ndërkohë që nuk kanë mundësi të marrin fletën e votimit, këtu në Tiranë vijnë kuti të pafundme me fletë votimi të plotësuara.
Dhe ajo që po ndodh sot, dje dhe para tre ditësh është mjaft interesante, është pikërisht derivati i manipulimit të skemës në tërësi të procesit zgjedhor në Greqi dhe ndodh vetëm për Greqinë. Kuti të mbushura, ndërkohë që njerëzit nuk kanë marrë fletën e votimit për të votuar, vijnë kuti të papërfillshme nga vendet e tjera apo nga e gjithë bota.”
Deklarata e Franc Nurit:
“Nga aspekti juridik dhe ligjor, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do të depozitojmë me urgjencë kërkesën që sapo parashtroi zonja Topalli. Sa i përket ndarjes së votave dhe zarfeve me vota që vijnë nga Greqia në kuti të veçanta, kërkojmë që sot, kur të arrijnë fletët e votimit, ato të ndahen sipas qarqeve, ku do të numërohen më pas. Kërkojmë që të gjitha zarfe që vijnë nga shteti grek të mbahen veçmas dhe të seleksionohen sipas zonave dhe qarqeve përkatëse. Këto zarfe të mbahen veç, për të parë nëse do të rezultojnë ankimime apo problematika të tjera. Nëse ka ankimime, ato mund të ndahen nga zarfe që vijnë nga shtetet e tjera.
Kjo kërkesë do të depozitohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Një kërkesë tjetër ka të bëjë me informacionin drejtuar KQZ për numrin total të zarfeve me material votimi të dërguar nga KQZ përmes operatorit DHL në adresat e votuesve shqiptarë të diasporës. Kërkojmë informacion për numrin e zarfeve të pa dorëzuara ende, sipas të dhënave, si dhe numrin e zarfeve të kthyer pas si të papërfituar nga qytetarët. Kjo është e rëndësishme, pasi nuk kemi informacion në asnjë vend nga KQZ.
Po flitet për rreth 70 mijë votues shqiptarë të regjistruar, të cilët ose e kanë marrë fletën e votimit dhe nuk kanë votuar ende, ose nuk e kanë tërhequr fare. Nuk dimë se çfarë po ndodh me këta zgjedhës. Për të gjitha këto problematika, do të bëjmë kërkesa zyrtare në KQZ”.
Komente
