Gjykata Kushtetuese

Politikë

PD dërgon në Kushtetuese ministren virtuale ‘Diella’ dhe rregulloren e re të Kuvendit

23 Shtator, 14:27| Përditesimi: 23 Shtator, 14:55

  • Share

Partia Demokratike ka dërguar zyrtarisht në Gjykatën Kushtetuese rregulloren e re të Kuvendit të miratuar në Parlament vetëm me votat e mazhorancës socialiste, si dhe dekretin për ministren virtuale “Diella”.

Rregullorja e re e Kuvendit, përmes të cilës janë riorganizuar komisionet parlamentare duke u bërë 11 të tilla, u votua në seancën e 16 shtatorit me 79 vota pro të deputetëve socialistë.

Opozita i kundërshtoi në seancë ndryshimet e miratuara dhe i konsideroi puç kushtetues sepse sipas tyre nuk u respektua afati minimal me 7 ditë kohë, siç parashikohet edhe në procedurën e përshpejtuar.

Së dyti, bëhet fjalë edhe për dekretin e Presidentit Bajram Begaj për ministren virtuale Diella. PD thotë se Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton që ministri duhet të jetë qenie njerëzore, shtetas shqiptar dhe mbi 18 vjeç. Në rastin e ministres virtuale Diella, këto kushte nuk përmbushen, sipas opozitës.

Por Presidenca sqaroi para disa ditësh se Bajram Begaj dekretoi Edi Ramën si Kryeministër dhe në nenin 2 të të njëjtit dekret për kreun e qeverisë, sqarohet që Edi Rama ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual. Pra, për nuk ka një dekret të posaçëm për vetë “Diellën”.

Cilat janë pikat që PD i argumenton si antikushtetuese në dekretin e Presidentit për ministren virtuale ‘Diella’?

Përveç se Presidenti ka vepruar në tejkalim të kompetencave të tij, ai ka vepruar në kundërshtim me dispozitat kushtetuese që rregullojnë cilësitë që duhet të ketë personi që emërohet ministër.

Presidenti ka krijuar praktikisht një strukturë të re ministrore (ministri virtuale), si dhe ka ngarkuar Kryeministrin me një përgjegjësinë të re për ngritjen dhe funksionimin e ministres virtuale "Diella".

Në asnjë prej dispozitave që rregullojnë përgjegjësitë dhe kompetencat e Presidentit të Republikës nuk gjejmë një kompetencë të tillë në mënyrë direkte apo të nënkuptuar.

krijimi i një “ministri" virtual apo real nga Presidenti i Republikës është në tejkalim të kompetencave të Presidentit të Republikës, cënon kompetencat e Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, duke shkelur kështu parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, të sanksionuar nga neni 7 i Kushtetutës së Shqipërisë.

Caktimi i përgjegjësive të reja nga Presidenti për Kryeministrin vjen në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet, si dhe cënon edhe pushtetin legjislativ (Kuvendin), duke qenë ky i fundit i vetmi organ që ka të drejtën të miratojë ndryshime kushtetuese apo ligjore, të cilat shtojnë, pakësojnë, ndryshojnë përgjegjësitë dhe kompetencat e Kryeministrit.

koncepti "Ministri Virtual i Inteligjencës Artificiale "Diella", vjen në kundërshtim me Kushtetutën, qoftë në drejtim të cilësive të kërkuara të të qenurit ministër, procedurës së emërimit të tij, betimit para Presidentit të Republikës, si dhe ushtrimit të kompetencave dhe përgjegjësive.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë (Kërkesa e PD dërguar në Gjykatën Kushtetuese për rregulloren e Kuvendit)

 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë       (Kërkesa e PD dërguar në Gjykatën Kushtetuese për ministren Diella)

 

/Lajmi në përditësim...

V.GJ /r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Këshilli Bashkiak voton pro shkarkimit të Erion Veliajt, si e vlerësoni?