PD dhe LSI po mbledhin firmat për regjistrim në zgjedhje, Dritan Caka për Report Tv: Lëvizje politike, e panevojshme

21 Janar 2021, 15:39| Përditesimi: 21 Janar 2021, 17:56

  • Share

Anëtari i Komisionit Rregullator në KQZ, Dritan Caka, gjatë një interviste për Report Tv  e cilësoi politike lëvizjen e PD-LSI për të mbledhur firma në mënyrë që të regjistrohen në KQZ. Sipas Cakajt, kjo është e panevojshme pasi dy deputetë, Korab Lita dhe Gjetan Gjetani janë regjistruar në emër të dy partive opozitare.

Ndonëse dy deputetë janë regjistruar në KQZ si pjesë e PD dhe LSI, partitë më të mëdha opozita kanë nisur mbledhjen e firmave për tu regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Për anëtarin e Komisionit Rregullator, Dritan Caka kjo është një lëvizje politike e dy partive të cilat edhe pse e plotësojnë kushtin për tu regjistruar pa firma, preferojnë mos njohin si legjitimë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.

“Pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë tërhequr nga këto subjekte politike formularët për mbledhjen e firmave dhe mesa shihet ata do të mbledhin firmat përkatëse për të depozituar pranë KQZ për kandidatët. PD dhe LSI, nga deklarimet që kanë bërë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, minimalisht e zotërojnë nga një mandate, por ato kanë zgjedhur të mbledhin firmat. Kjo është një lëvizje  e tyre politike, sepse nga pikëpamja ligjore ata e plotësojnë kushtin për tu regjistruar pa firma. Duke pasur në konsideratë politikën këto dy vitet e fundit, këto dy parti nuk mendojnë se ata dy deputetë që janë në Kuvendin e Shqipërisë i përfaqësojnë", tha ai.

Gjatë intervistës për Report Tv, Caka tha se deri më tani figurojnë të regjistruara 11 parti të cilat nuk kanë nevojë të mbledhin firma.

“Janë 11 parti të cilat kanë deputetë në Kuvendin e Shqipërisë këto 6 muaj dhe këto parti nuk kanë nevojë të mbledhin firma për të regjistruar kandidatët e tyre pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.

13 shkurti do të jetë afati i fundit që partitë politike të regjistrojnë në KQZ kandidatët e tyre, ndërsa ato parti që do jenë në koalicion kanë 10 ditë më shumë afat për tu regjistruar.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?