PD dogji karriget e Kuvendit, Rama: Revoltë kundër vendimit të një gjykate! Ne ndërtojmë, ata shkatërrojnë, plagosin, djegin

30 Shtator, 19:59| Përditesimi: 30 Shtator, 21:39

  • Share

TIRANË- Revoltë kundër një vendimi gjykate e quajti kryeministri Edi Rama kaosin e opozitës në Kuvend dhe djegien e karrigeve, pas dënimit të Ervin Salianjit me 1 vit burg për kallëzim të rremë në dosjen Babale.

Ndërsa mori pjesë në një takim për platformën ‘Deputeti që Duam’, Rama nxori një foto nga djegia e karrigeve, duke thënë se është një panoramë që tregon qartë ndryshimin mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.

"Ky është një zjarr i ndezur me karriget e deputetëve të zgjedhur në Kuvend për tu ulur në ato karrige dhe për të përfaqësuar ata që i çojnë atje në shenjë revolte ndaj një vendimi gjykate. Pse e solla këtu këtë imazh, sepse dua të them pak fjalë për politikën. Është një mjet që i ka bërë gjëra jashtëzakonisht të mëdha në historinë e njerëzimit, por edhe katastrofa të mëdha, refuzimi i politikës apriori, si diçka e keqe, e pistë me të cilën më e mira është të mos ngatërrohesh, është foshnjarak sepse është e pamundur që ta vendosësh ti çfarë poltika bën apo nuk bën me ty. Ti mund të vendosësh se sa ti mund ta ndikosh politikën duke u marrë me të, por në rast se i kthen kurrizin, refuzon të merresh me të, ajo ka gjithë pushtetin të merret me ty. Çdo gjë jashtë dyerve të shtëpisë lidhet me politikën dhe vendimet e saj. Por edhe brenda shtëpisë shumëçka lidhet me politiken dhe vendimet e saj", tha Rama. 

Paralelen mes PS dhe PD, Rama e heq duke thënë se mazhoranca ndërton, shëron, mbjell, e nga ana tjetër opozita shkatërron, plagos e djeg.

"Politika, siç ka fuqinë të ndërtojë, ka fuqinë edhe të shkatërrojë. Siç ka fuqinë të shërojë përmes proceseve dhe vullneti, politika ka fuqinë djallëzore të plagosë, dërrmojë sakatojë. Mes këtyre dy pamjeve, jo absolute, qëndron edhe ndarja këtu tek ne, mes nesh, që përpiqemi të ndërtojmë, shërojmë, mbjellim dhe atyre që nga ana tjetër shkatërrojmë, plagosin, shkulin, djegin. Duke qenë kështu, Shqipëria ka humbur shumë kohë, nëse reforma që ne i kemi ndërmarrë pothuajse 25 vjet pas fillimit të të jetuarit tonë në liri, të ishin ndërmarrë jo 25 vjet më mbrapa, por 10, 15 edhe 20 sot do ishim shumë më para", tha Rama. 

Në një aksion të nxitur pas dënimit të Salianjit, demokratët rikthyen kaosin në Kuvend. Noka dhe Nallbati dogjën karriget në oborr, ndërsa Bardhi qëlloi drejt kryetares së Kuvendit me sende të forta.

Ora 20:20
'Deputeti që duam', Rama: Duhet të arrijmë edhe më tepër, kemi detyrim për pensionistët të bëjmë hapin e rëndësishëm

 

Kryeministri Edi Rama ishte sot në takim me kandidatët e platformës 'Deputeti që Duam'. Ai tha se Shqipëria sot është shumë më ndryshe nga sa ishte kur PS mori pushtetin, por shtoi se punët e arritura deri tani duhet që t’i motivojnë për të bërë edhe më shumë.

“Kur shikon të shkuarën e këtyre viteve, ka disa gjëra që janë aty dhe flasin vetë. Ne kemi qenë një vend me 3300 euro për frymë, sot jem i më 9300 euro për frymë. Ky trefishim nuk është diçka që ne mund të themi çohuni shqiptarë dhe duartrokisni, por flet për një rrugë transformimi. Kur ne nisëm detyrën, kishim të gjitha vendet e rajonit, veç Kosovës, para nesh në të ardhura për frymë. Sot ne kemi para nesh vetëm Malin e Zi dhe Serbinë, që kanë 11600, 11300 euro për frymë.

156 euro ishte paga minimale kur morëm detyrën, sot është 400… Këto nuk na duhen që ne të ulemi dhe shijojmë pamjen e Shqipërisë që kemi ndërtuar, por që të kuptojmë që sa shumë kohë është humbur më parë, dhe sa shumë më tepër mund të bëjmë ne.

Sot kemi një eksperiencë që nuk e kishim, një pozicion të vendit që nuk e kishim, qoftë pozicion të brendshëm ekonomik që jemi në kushte që të bëjmë realisht një ekonomi gjithëpërfshirëse. Për pensionistët kemi një detyrim të bëjmë një hap të rëndësishëm”, u shpreh gjatë fjalës së tij Rama.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?