Kreshnik Çollaku

Politikë

‘PD duhet të lexojë veten’, Çollaku: Ankesat për vjedhje zgjedhjesh, turpëruese! Votat e Berishës s’mjaftojnë për të kënaqur dembelët dhe për të ardhur në pushtet

14 Korrik, 11:10| Përditesimi: 14 Korrik, 11:44

  • Share

Deputeti i PD-së, Kreshnik Çollaku kërkon një ‘riformatim’ të PD-së dhe opozitës. Në një reagim në rrjete sociale, ai shprehet kritik për qëndrimin për zgjedhjet, duke shkruar se nëse vazhdon me akuzat e vazhdueshme ndër vite për vjedhje zgjedhjesh ndërkohë që vetë ndodhet në një situatë të vështirë, në zgjedhjet e radhës do të pësojë disfatë më të thellë.

Ai thotë se janë turpëruese ankesat e herëpashershme se Rama po vjedh zgjedhjet, në një kohë kur brenda PD ka vetëm bashkime të cilat i cilëson si falso.

“PD duhet të reformohet në formë totale, në organizim, në koncept dhe në klimë. Bashkimet falso, me llogari personale mandate deputetësh nuk funksionojnë. Klima sektare me armiq brenda llojit, për llogari karrierash personale nëpër provinca rezultuan katastrofë”, shkruan deputeti.

Kritikat s’i kursen ndaj përfaqësuesve demokratë, teksa thotë se 500 mijë votat që siguron Berisha nuk mjaftojnë për të kënaqur ambiciozët apo dembelët e PD-së.

“Mungojnë thuajse edhe një herë aq, të cilat ose do të gjendet mënyra të rikthehen në PD – përmes respektit, pranimit, të drejtës për të menduar ndryshe, përmes fraksioneve apo rrymave të mendimit alternativ – ose e gjithë kjo energji opozitare dhe demokrate do të detyrohet të gjejë formë e rrugë riorganizimi e riformatimi. Rama do t’i vjedhë çdo herë e sa të mundet zgjedhjet.”, shton ai.

Më tej, ai shton se revoltat imagjinare për të mbrojtur votat, siç pretendon Berisha, janë një vetshpallje opozitë e përjetshme.

“Të presësh të tjerë, ose një revoltë imagjinare popullore që të na mbrojë votat, është të vetëshpallesh opozitë e përjetshme; është të pranosh këtë agoni disfatiste.”, shton ai.

Reagimi i plotë:

Opozita duhet të lexojë veten.
PD duhet të lexojë veten.
Në gjendjen si ndodhet sot, farsa elektorale e radhës do të jetë edhe më dramatike.
Të ankohemi se çdo herë (për 4 apo 5 herë radhazi) Edi Rama na vjedh zgjedhjet, është turpëruese.
PD duhet të reformohet në formë totale, në organizim, në koncept, në klimë.
Bashkimet fallco, me llogari personale mandatesh deputetësh, nuk funksionojnë.
Klima sektare me armiq brenda llojit, për llogari karrierash personale nëpër provinca, rezultuan katastrofë.
500 mijë votat që siguron Berisha nuk mjaftojnë për të kënaqur çdo ambicioz apo çdo dembel në PD, e aq më pak për ta çuar PD-në në pushtet.
Mungojnë thuajse edhe një herë aq, të cilat ose do të gjendet mënyra të rikthehen në PD – përmes respektit, pranimit, të drejtës për të menduar ndryshe, përmes fraksioneve apo rrymave të mendimit alternativ – ose e gjithë kjo energji opozitare dhe demokrate do të detyrohet të gjejë formë e rrugë riorganizimi e riformatimi.
Rama do t’i vjedhë çdo herë e sa të mundet zgjedhjet.
Të presësh të tjerë, ose një revoltë imagjinare popullore që të na mbrojë votat, është të vetëshpallesh opozitë e përjetshme; është të pranosh këtë agoni disfatiste.
Kjo agoni duhet të ndalet, sot…

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    AKU në ‘sitë’, a duhet bërë e njëjta gjë edhe me inspektorate të tjera?