PD e Alibeajt dhe koalicioni Meta-Berisha/ Gështenja: 90% e kandidatëve të dalë nga ‘Primaret’, të pranueshëm për ne! Blushi: Në 14 maj, fitore spektakolare

17 Mars 2023, 22:00| Përditesimi: 17 Mars 2023, 22:32

  • Share

Regjistrimi i PD-së së Alibeajt në zgjedhjet lokale të 14 majit dhe koalicioni Meta-Berisha nën siglën ‘Bashkë Fitojmë’ kanë qenë çështjet që kanë dominuar zhvillimet e fundit në politikën shqiptare.

Lidhur me regjistrimin e PD-së së Alibeajt në zgjedhjet e 14 majit,, deputeti demokrat, Lefter Gështenja i ftuar në emisionin ‘Pa Protokoll’ me gazetaren Andela Ndreu në Report TV, u shpreh se rruga ku palët brenda Partisë Demokratike do të shkonin të ndara në zgjedhjet lokale, është e gabuar. Ai bëri me dije se në gjykimin e tij, 90% e kandidatëve të primareve janë të pranueshëm për të qenë kandidatë të vetëm të PD-së për zgjedhjet lokale.

“Askush nuk do ta dëshironte por edhe deputetë të tjerë nuk e kanë dëshiruar një situatë të tillë ku të hyjmë në zgjedhje me më shumë se një kandidat. Çdo rrugë tjetër e njëanshme nga kushdoqoftë është rrugë e gabuar. Do jetë krejt e pavlerë nëse në 15 maj palët do i drejtojnë gishtin njëra tjetrës për humbjen. Prandaj kemi shtrirë dorën për të bashkëpunuar dhe për të dalë me një kandidat të vetëm në zgjedhje.

Unë dhe kolegët e mi nuk po vëmë në diskutim proceset e ndjekuara në Primare. Diskutimi është i hapur, hajde të ulemi të diskutojmë si të shkojmë me një kandidat. Unë them se 90% e kandidatëve janë në rregull. 10% e kandidatëve, mund të gjenden më të mirë se ta në zona të caktuara”-tha Gështenja.

Nga ana tjetër, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi u shpreh se grupimi i Alibeajt nuk përfaqëson askënd tjetër përveç individëve që janë pjesë ndërsa theksoi se në zgjedhjet e 14 majit, koalicioni Meta-Berisha do të arrijë fitore spektakolare.

“Do arrijmë një fitore spektakolare në zgjedhjet e 14 majit sepse mbështet kandidatët e shkëlqyer  Ne mbështesim këto kandidatë në mënyrë shumë transparente, të zgjedhur me një proces të paparë më parë. Opozita sot është e bashkuar në këtë koalicion që është një koalicion i hapur ku çdo faktor që mendon se ka elektorat apo votues është i mirëpritur të kontribuojë sepse nuk kemi qëllim tjetër veçse largimin e Ramës.”-tha Blushi.

Në 16 mars, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhje me kryetar të komanduar Enkelejd Alibeajn, duke rrëzuar kështu vendimin e kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi që kërkoi deklaratën e firmosur nga Basha i cili ligjërisht është kryetar i PD-së.

Nga ana tjetër, mbrëmjen e 15 marsit, Berisha dhe Meta dorëzuan në KQZ kërkesën për regjistrimin e koalicionit me siglën ‘Bashkë-Fitojmë’ të kryesuar nga Partia e Lirisë, ku pjesë ishte edhe PBDNJ dhe Partia Demokristiane.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?