PD e Berishës: Kryebashkiaku i Matit e ka kthyer bashkinë në shërbim të familjarëve, më 14 maj i japim përgjigjen e merituar

11 Janar 2023, 15:20| Përditesimi: 11 Janar 2023, 15:43

  • Share

Partia Demokratike e Sali Berishës ka denoncuar kryebashkiakun e Matit, Agron Mala duke e akuzuar atë se ka vënë bashkinë në dispozicion të familjarëve të tij dhe po e përdor për interesa personale.

Denisa Vata, kryetarja e degës së PD-së në Mat ka akuzuar Agron Malën se i kërkuar Këshillit bashkiak të votojnë për të dhënë tokat pyjore për hidrocentrale, pa iu bërë me dije kush është përfituesi. Por sipas Vatës, pas kësaj qëndron i vëllai i kryebashkiakut, Fatos Mala i cili do të përfitojë nga ky projekt.

Në një deklaratë për mediat, Vata tha se kryebashkiaku i Matit s’ka bërë asgjë për qytetarët dhe se me 14 maj, ditën kur do të mbahen zgjedhjet vendore, do t’i japin përgjigjen e merituar.

Agron Mala do të mbahet mend si kryebashkiaku i pavotuar nga matjanet, që e ka kthyer bashkinë në shërbim të familjarëve dhe të interesave personale. Do mbahet mend si i vetmi kryetar bashkie që i kërkon Këshillit bashkiak të votojnë në parim për të dhënë tokat pyjore për hidrocentrale, pa iu bërë me dije kush është përfituesi. Arsyeja është e thjeshtë: një prej tyre është vëllai i tij Fatos Mala, gjë për të cilën është denoncuar dhe në SPAK. Sipas raportit të KLSH firma e të vëllait i detyrohet Bashkisë 42 milion lek taksa të papaguara.

Agron Mala gjithashtu do të mbahet mend si kryetari i Bashkisë, i pavotuar, që ka blerë prona dhe karburante, dhe bën vila luksoze në Lis ku sillet si beu i fshatit, dhe në Dhërmi ku bën si afendiko.  Ai do të mbahet mend për shpenzimet marramendëse që bën duke argëtuar veten me tigra, kuaj,  qen, dhe ujqër, që janë kthyer në shqetësim për qytetarët e Matit. Agron Mala do të mbahet mend për trajtimin që iu bën drejtorëve të PS duke i përdorur si punonjës të eskortës personale. Ky është Agroni i Ramës, gardisti të cilin ai, pasi e akuzoi se i vrau socialistët e revolucionit të dhunshëm në Bulevard, e gradoi në Gardën e tij të kryebashkiakëve me të cilët mban peng Matin dhe Shqipërinë. Deri më 14 maj, Agroni mund t’i bëjë mal rekordet e tij, i patrazuar nga drejtësia, por populli i Matit do t’i japë përgjigjen që meriton ditën e zgjedhjeve. Më 14 maj ne i dalim zot Matit dhe Shqipërisë dhe rrëzojmë ata që e trajtojnë vendin tonë si mall pa zot.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?