PD e Sali Berishës këmbëngul se vdekja e të riut Lear Kurti pas shoqërimit nga policia në tetor të vitit 2022, është krim shtetëror. Ndalur në raportin që ka publikuar Avokati i Popullit për vdekjen e Lear Kurtit, Garo në një deklaratë për mediat nga selia blu pretendon se 32-vjeçari ka humbur jetën pas abuzimit nga efektivët e policisë.
Garo u shpreh se kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Ardi Veliu, bashkë me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi kanë manipuluar ngjarjen.
“Avokati i Popullit, në një raport për vdekjen e 32 vjecarit Lear Kurti, hedh poshtë pretendimet e Policisë dhe përligj qëndrimet e Partisë Demokratike, që e ka konsideruar që në fillim “krim shtetëror” vdekjen e të riut. Avokati i Popullit konkludon: Së pari, vdekja e Leart Kurtit lidhet direkt me veprimet e policisë ndaj tij dhe së dyti, Ardi Veliu fshehu, falsifikoi dhe manipuloi rrethanat e vdekjes së te riut Leart Kurti. Në raport thuhet se vdekja e Kurtit mund të parandalohej nëse punonjësit e Policisë do të kishin kryer veprimet e duhura. Po sipas Avokatit të Popullit, shoqërimi i të riut ka qenë në kundërshtim me dispozitat ligjore, pasi nuk mund të bëhet shoqërimi i një personi duke u mbështetur në dyshime të paarsyeshme. Sikundër denoncohet edhe mosdërgimi i tij në spital.
Avokati i Popullit ngre shqetësimin për mosvënien në dispozicion të materialeve filmike të shoqërimit të Lear Kurtit. Sipas raportit, pamjet janë siguruar nga materialet e publikuara në një emision televiziv. Partia Demokratike kujton publikun se përpjekjet për të manipuluar ngjarjen kanë qenë intensive dhe janë dirigjuar nga Ardi Veliu dhe ministri i familjes Çuçi. Këto të dhëna të Avokatit të Popullit dëshmojnë qartë se 32-vjeçari humbi jetën pas abuzimit dhe paaftësisë policore.
Për më shumë bien ndesh të dhënat e raportit hedhin poshtë përfundimet e Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, strofulla ku Ardi Veliu shtrembëron të vërtetat dhe përdhos edhe të vdekurit për t’i shërbyer shefave politikë të Rilindjes. Veliu i partisë konkludoi “se nuk ishin vërejtur veprime të kundraligjshme nga policët gjatë shoqërimit të 32-vjeçarit”.
Partia Demokratike, siç e ka theksuar që nga fillimi, e konsideron krim shtetëror vdekjen e të riut dhe inkurajon organet ligjzbatuese të cojnë para ligjit përgjegjësit kryesorë të fshehjes së të vërtetës dhe implikimit të Policisë në kundraligjshmëri, Ardi Veliu dhe Bledi Çuçi. Lear Kurti është vetëm një prej të vrarëve dhe të dhunuarve, edhe pas vdekjes, nga Policia dhe pushteti. Klodian Rasha është shembulli më flagrant, më i dhimbshëm, më makabër i një policie që të vret pas shpine dhe të shpifet në sy të botës. Që është aty për të mbrojtur nga krimi dhe bëhet vetë sinonimi i kriminalitetit.
Si vdiq Lear Kurti?
Mbrëmjen e 19 tetorit në lagjen ‘Riza Cuka’ në Tiranë, policia i bëri thirrje 32-vjeçarit Lear Kurti që të ndalojë, por ky i fundit nuk i është bindur urdhërit të policisë dhe është larguar me vrap. Efektivët e kanë ndjekur dhe kanë arritur që ta ndalojnë, të cilin më pas e kanë shoqëruar në komisariat. Por gjatë rrugës për në ambientet e komisariatit, 32-vjeçari ka shfaqur probleme shëndetësore, kryesisht dridhje. Menjëherë i riu është dërguar në spital, por sipas mjekëve ai ka mbërritur atje pa shenja jete.
Sipas ekspertizës paraprake, u bë me dije se i riu Lear Kurti ka ndërruar jetë si pasojë e overdozës pasi në stomak i ishte gjetur një përmbajtje plastike disa cm me kokainë. Gjatë ndjekjes, burime bëjnë me dije se 32-vjeçari kishte me vete një dozë kokaine, të cilën mendohet ta ketë gëlltitur nga frika gjatë ndjekjes nga policia pasi nuk donte të arrestohej.
Vdekja e të riut shkaktoi një sërë përplasjesh, pasi opozita akuzoi policinë e Shtetit se ishin ato që e vranë Lear Kurti, e për ketë thirrën edhe protesta duke kërkuar drejtësi. Ndërkohë deri në sqarimin e plotë të ngjarjes, kryepolici Muhamet Rrumbullaku, pezulloi nga detyra efektivët që e shoqëruan të riun në komisariat.