Një ditë përpara konferencës ndërqeveritare BE-Shqipëri, Kuvendi ishte thuajse bosh e nuk u zhvillua ndonjë debat për këtë çështje. Bojkoti i opozitës, e cila ka shpallur një lloj mosbindje civile, bëri që jeta parlamentare të dominohej nga mazhoranca, edhe në ato komisione që i drejton opozita, si Shëndetësia dhe Media.
Por matanë bulevardit, në një hotel luksoz ku paguajnë ambasadorët dhe mikrofonët i komandon shoqëria civile, PS dhe PD nuk kanë asnjë problem të bëjnë atë që nuk e bëjnë në parlament.
Në tryezën e udhëhequr nga disa organizata që mbrojnë lirinë e shtypit, qeveria dha zotime serioze për të hequr nga Kodi Penal shpifjen, premtim ky që i është bërë Brukselit.
Organizatat mediatike i kërkuan qeverisë të marrë masa sipas standardeve të BE, për të parandaluar paditë SLAPP, të cilat përdoren gjerësisht për të dekurajuar gazetarët.