Politikë

PD i doli kundër në KAS për rinumërimin, Kuçana për Report Tv: E shokuar! Vota ime i shkoi kandidatëve të tjerë brenda partisë! Betejën e çoj deri në fund (VIDEO)

30 Maj, 19:38| Përditesimi: 30 Maj, 23:34

  • Share

TIRANË- Pavarësisht se PD doli kundër kandidatëve të saj, duke iu rrëzuar ankimet për rinumërimin e votave preferenciale, Ilirjana Kuçana në një intervistë për Report Tv thotë se kësaj beteje do t’i shkojë deri në fund. Zhgënjimin e shpreh hapur për anëtarët e opozitës në KAS që bashkuan votat me PS, duke thënë se mbeti e shokuar.

Në emisionin “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj, Kuçana shprehet se ka fakte që vota e saj është tjetërsuar dhe pasi ka vëzhguar pamjet filmike, ka bërë edhe kërkesën për rinumërimin e votave të saj.

“Dhimbja më e madhe për një kandidat demokrat nuk është se nuk pranohet kërkesa e një kandidati nga anëtarët e KAS të PS, por kur sheh që anëtarët e PD bashkojnë votat me PS, kjo ka qenë një nga ngjarjet që unë personalisht kam qenë e shokuar. Kam pyetur në sallë se si ka mundësi dhe si ka qenë miratimi. Ka qenë 4 pro dhe 1 kundër. Siç e dini vendimi për numërimin e kandidatëve, e cila pasi ka marrë pamjet filmike, pasi i kam drejtuar KQZ disa kërkesa, të më vendosë në dispozicion proces verbalet, një e drejtë që e ka secili kandidat, akoma nuk i kam. Kam kërkuar sot në KAS që si kandidate për deputete në qarkun e Durrësit, duke parë parregullsitë, pas vëzhgimit të pamjeve filmike kam evidentuar ndryshim të vullnetit të qytetarëve durrsakë, kam kërkuar rinumërimin në disa KZAZ në qarkun e Durrësit. Kam fakte, kam parë pamjet pamjet filmike. Kam kuti të identifikuar që është tjetërsuar vota ime dhe i është kaluar kandidatëve të tjerë”, tha Kuçana në Report Tv.

Kuçana thotë se vota e saj është tjetërsuar brenda partisë së saj dhe do ta vijojë këtë betejë me ankim në Kolegj Zgjedhor, Gjykatën Kushtetuese e më tej thotë edhe në institucionet ndërkombëtare.

“U kam premtuar qytetarëve Durrsakë dhe votuesve të mi, se çdo votë që është në emrin tim, do mbrohet me çdolloj kushti, kam bërë vazhdimisht denoncime në SPAK, kam qenë ndoshta e vetmja kandidate që jam përballur me bandat kriminale, kam denoncuar bandën e Shkozetit dhe Pojës para se të arrestoheshin. Unë kërkoj të rinumërohen votat e mia pasi është tjetërsuar vota në drejtimin tim, dhe është tjetërsuar edhe brenda partisë sime. Këtë betejë do e bëj për demokratët, vullnetin e tyre, do i shkoj deri në fund, do ta ankimoj në Kolegj Zgjedhor në Kushtetuese, deri në institucionet ndërkombëtare, në mënyrë që vota e qytetarëve të numërohet drejtë”, thekson ajo.

Kuçana pretendon se në Durrës ka pasur manipulim të votave përmes fenomenit të trenit bullgar.

“Patjetër që ne kemi betejë me Ramën, me ata të cilët në do ta vazhdojmë. Jam këtu për të thënë që në Durrës ka ndodhur vërtetë treni bullgar. I kemi të shënuara me numra kutish, do jem në KQZ për ankimin e Durrësit. Para se të kaloj tek ky raport, do kërkoj që çdo votë edhe brenda forcës sime politike të shprehet vullneti qartë dhe drejtë”, thekson ajo.

Ajo thotë se në kutitë e Durrësit nëse hapen, do shihen çudira. Kuçana shprehet se e ka mbështetjen e Berishës, ndonëse PD u doli kundër kandidatëve të saj në KAS.

“Ka tjetërsim të votave. KQZ e ka shumë më të thjeshtë, mjafton të hapë kutitë dhe do shikoni çudira. Është vendim që e kam marrë, e kam diskutuar edhe me kryetarin e partisë i cili ka qenë i mendimit që duhet t’i shkojmë deri në fund çdo farse zgjedhore, qoftë edhe brenda kampit tonë. Di të them që janë 2600 vota që janë numëruara, por u siguroj që pas rinumërimit s’do jenë më 2600, por shumë më shumë. Kam pasur informacion nga vëzhguesit, por pres të shoh gjërat, pastaj të flas. Kam parë KZAZ që kam pasur dyshimet dhe raportimet nga numëruesit e mi. U them numëruesve që s’do merrja përsipër të bëja në emër të askujt dhe për askënd, të shkelja ligjin, sepse vota është e shenjtë dhe duhet drejtuar aty ku është vullneti i qytetarit”, tha ajo.

Nuk tërhiqet nga beteja për rinumërimin e votave të saj, ndonëse lufta është brenda partisë.

“Kushdo qoftë emri unë do ta denoncoj dhe do t’i shkoj deri në fund, se kjo gjë duhet të marrë fund. Lufta e brendshme, nuk është hera e parë që e kam ndjerë edhe brenda forcës sime politike, por nuk e kam pasur problem luftën kundër kundërshtarëve, kam pasur përballë banda kriminale, ata që më ndjekin e dinë që u shkoj betejave deri në fund”, tha Kuçana.

Në rast se nuk do të ketë mbështetje nga PD, Kuçana thotë se kutitë do t’i hapë përmes partive të vogla.

"Sa i përket pjesës që më takon mua, kam bindjen se s’do më mungojë ky suport. Nëse do të kishte ndodhur ndryshe, kam marrë masa të tjera që janë edhe partitë e vogla, ku mund t’i hapim edhe me partitë e vogla. Ka gjithmonë zgjidhje, por nuk më mungon suporti nga partia ime", thekson ajo. 

Ilirjana Kuçana mori 2524 vota preferenciale në qarkun e Durrësit, ndërsa më i votuari ishte kandidati Arjan Ndoja me 9167 vota, i cili mori të vetmin mandat që PD fitoi nga lista e hapur në këtë qark.  

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Votimet: 30/05/2025 22:28

    Kjo tregon qe nese eshte e vertete duhet të kete riciklim ne cdo rreth dhe te Kete antaresi te re partia , kryesia te jape dorheqje te largohen edhe mandatet! Tabaku te kandidoje per kryetare bashkise Tiranë dhe Alimemehmeti per bashkine Kamez ne 2027 , zonja Tabaku te kandidoje per kryetare partie PD , Hera e pare me nje femer ne krye te nje partie (model Teuta) nese behen Zgjedhjet ne 2026 per tironen , ne 2027 te Kete zgjedhje per kryetar partish ! Lulzim Basha te behet president nga Rama (nese i ben dot fresk Rames )! Te kerkohet dorheqja e deputeteve me mbi 16 vjet sherbim Brenda opozites perfshire zotin e nderuar Dule dhe shume deputet antik aty. Te rifreskohen strukturat! Edhe kur keto te ndodhin perseri e djathta ka probabilitet te humbasé sepse i ka zemeruar enderrimtaret per nje Shqipëri shume te avancuar ne fakt nje vend I Vogel me huqe te vjetra … e bukur politika kur e shikon si film.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    PD kundër kërkesave të kandidatëve të saj për rinumërim, ishte vendim i drejtë?