TIRANË- Në vazhdën e kontestimeve të votës së diasporës, Partia Demokratike kërkon zyrtarisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të mos certifikojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 11 majit dhe të bëhet një auditim i votës së diasporës.
Në kërkesën e dorëzuar në KQZ nga përfaqësuesi ligjor Franc Nuri ditën e sotme, datë 20 maj, renditen të gjitha pretendimet e PD-ASHM për votën e diasporës, ku mes tyre thyhet se dështimet janë të shumta, pasi ka zarfa që kanë mbërritur bosh, pa fletë votimi, si dhe raste të zarfeve të shpërndara nga individë, sipas tyre të lidhur me PS.
PD rendit në kërkesë se ka më shumë fletë votimi se zarfe, por KQZ ka sqaruar se shumë emigrantë kanë dorëzuar fletën e votimit vetëm me zarfin A dhe jo të futur edhe në zarfin B. Këto fletë janë numëruar dhe për çdo rast KQZ ka mbajtur procesverbal.
“Teksa po vijon procesi i numërimit të votave të fundit të diasporës, ky proces jo vetëm që po humbet çdo besueshmëri në sytë e publikut, por ka dalë plotësisht jashtë kontrollit administrativ dhe ligjor. Dështimet janë të shumta dhe tashmë të dokumentuara publikisht, duke filluar nga:
Zarfa që kanë mbërritur bosh, pa fletë votimi, si dhe raste të zarfeve të shpërndara nga individë të lidhur me struktura patronazhi;
Mospërputhje të rënda në numrin e zarfeve të ardhura dhe fletëve të numëruara,
Raste si ai i zarfeve të dërguar për në qarkun Durrës që përmbanin fletë votimi për qarkun Gjirokastër,
Mungesë totale transparence mbi numrin e fletëve të votimit te prodhuara dhe vulosura për diasporën;
Rrjedhje të të dhënave të zgjedhësve, shpërndarje jozyrtare e zarfeve dhe anomali të theksuara në administrimin dhe numërimin e fletëve të ardhura nga jashtë vendit”, thuhet në kërkesë.
PD thotë se këto elementë që ka renditur në kërkesë, vënë në dyshim legjitimitetin e rezultatit zgjedhor për votën e diasporës. Koalicioni i Berishës rendit këto kërkesa si më poshtë.
1. Të mos certifikojë rezultatin për asnjë qark zgjedhor, përfshirë dhe rezultatin e votimit nga diaspora për atë qark, derisa të përfundojë një auditim i plotë dhe i pavarur mbi të gjithë procesin.
2. Të ndërmarrë menjëherë një auditim të thelluar të gjithë procesit të votimit të diasporës, duke përfshirë:
Planifikimin dhe përgatitjen paraprake të procesit;
Prodhimin dhe shpërndarjen e fletëve të votimit;
Dërgimin, marrjen dhe protokollimin e zarfeve;
Procesin e administrimit, hapjes dhe numërimit të tyre;
Si dhe çdo akt tjetër i lidhur me këtë proces, që nga regjistrimi i votuesve e deri te shpallja e rezultateve për çdo qark.
PD kërkon që auditimi të realizohet nga ekspertë të pavarur, të paangazhuar me ndonjë institucion shtetëror apo politik, dhe që rezultatet e tij të bëhen publike në mënyrë të plotë.
“Pa përfunduar ky auditim dhe pa u bërë transparencë e plotë mbi procesin, shpallja e çdo rezultati për votën e diasporës dhe për rrjedhojë për çdo qark do të ishte një veprim i nxituar dhe në kundërshtim me frymën e ligjit dhe kërkesat minimale të integritetit zgjedhor.
E konsiderojmë të domosdoshme që KQZ të ndërmarrë këto hapa urgjentë, jo vetëm për të adresuar dështimin katastrofik të këtij procesi, veçanërisht në shtete si Greqia, por edhe për të ruajtur legjitimitetin institucional dhe besimin e qytetarëve në funksionimin demokratik të zgjedhjeve”, thuhet në kërkesë.
Procesi i numërimit të votave ka përfunduar këtë të martë duke i hapur rrugë certifikimit zyrtar të zgjedhjeve nga KQZ. Kutitë e fundit që u numëruan ishin ato të diasporës për Elbasanin, por pa asnjë ndryshim rezultati. Megjithatë, diaspora, jo në pak raste ka qenë vendimtare për kandidatët dhe partitë.
Kërkesa e PD-ASHM dorëzuar në KQZ
Komente
