Bardh Spahia

PD i përgjigjet Manastirliut: Me fjalë e shfaqje nuk luftohet virusi, fillo të bësh punë konkrete

15 Tetor 2020, 15:41| Përditesimi: 15 Tetor 2020, 15:44

  • Share

Ish-deputeti i PD-së, Bardh Spahia i ka kthyer përgjigje ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e cila thumboi kryedemokratin Lulzim Basha, për lapsuset, ndërsa i kërkoi që në këto momente duhet të jemi të gjithë bashkë për të kaluar situatën e vështirë të pandemisë.

Ndërkohë Spahia i është përgjigjur në rrjetet sociale, duke thënë se ministrja duhet t'i lërë fjalët dhe të bëjë punë konkrete që mbrojnë bluzat e bardha dhe qytetarët.

Më tej Spahia ka kërkuar shtimin e numrit të testimeve me të paktën 2500 në ditë pasi sipas tij me fjalë e shfaqje nuk mbrohen qytetarët nga koronavirusi.

"Pandemia nuk administrohet me fjalë, foto apo video nga kolltukët e ngrohta dhe të sigurta të ministrisë së shëndetësisë. Prandaj, lëri fjalët dhe fillo të bësh punë konkrete që mbrojnë mjekët, infermierët, mësuesit dhe qytetarët, ndihmojnë të sëmurët dhe familjet e tyre dhe bëjnë më të sigurta spitalet dhe shkollat.

Shtoni numrin e testimeve në të paktën 2500 në ditë dhe gjurmoni kontaktet!  Furnizoni me maska falas 40% të qytetarëve që jetojnë me 4 dollarë në ditë!

Pajisni spitalet me aparate oksigjeni dhe medikamentet anti-Covid, me pajisje mbrojtëse për mjekët dhe infermierët!  Ofrojuni falas paketën e trajtimit ambulator qytetarëve të sëmurë që trajtohen në shtëpitë e tyre!

Furnizoni me ujë 70% të shkollave që u mungon uji, me materiale higjenike!  Me fjalë, me shfaqje dhe me video nuk mbrohen dhe as shërohen qytetarët e sëmurë, as nuk ndalet përhapja e COVID.

COVID përmbahet me masa siç po marrin edhe vendet e rajonit", shkruan Bardh Spahia.

E.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?