Partia Demokratike nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi, ka kallëzuar në SPAK Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit Gledjan Llatja, me akuzën për “shpërdorim të detyrës”. PD akuzon Llatjan se ai përmes favorizimit të një kompanie private për ndërtimin e kullave në lulishten pranë Bashkisë ka shkaktuar një dëm prej 8.3 mln euro.
PD shkruan se kallëzimi në SPAK bëhet fjalë për kontratën e partneritetit publik privat që sipas selisë blu i mundëson kompanisë private ndërtimin e Kullave në lulishten pranë Bashkisë së Elbasanit.
Sipas Partisë Demokratike, me veprimet e paligjshme të Kryetarit të Bashkisë Elbasan, është favorizuar kompania private, duke falur tokë publike për ndërtimin e Kullave në qendër të qytetit të Elbasanit dhe se bashkia nga kontrata e partneritetit publik privat humbet një sipërfaqe të konsiderueshme toke prej 11, 912 m2, ose rreth 8.3 milion euro.
PD shkruan në kallëzimin e saj se Bashkia po përfiton vetëm 2648 m2 sipërfaqe të re ndërtimi, ndërkohë që duhet të kishte përfituar 14 560 m2 sipas kontratës së partneritetit publik privat.
“Nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të paligjshme, Kryetari i Bashkisë Elbasan, ka dëmtuar interesin publik, duke i shkaktuar një dëm të madh ekonomik Bashkisë Elbasan, në të paktën 8.3 milion euro, duke konsumuar elementët e veprës penale “shpërdorim i detyrës” – thuhet në kallëzimin e Partisë Demokratike.