Pas paralajmërimit të një dite më parë, Partia Demokratike ka depozituar një kërkesë zyrtare në Këshillin për Legjislacionin, ku kërkon shkarkimin e kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit, Niko Peleshi me pretendimin se ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe rregulloren e këtij institucioni.
PD rendit rastet, që sipas saj, Peleshi ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e rregulloren në seancën e 16 shtatorit dhe të djeshmen, 18 shtator. Sipas PD, në seancën e djeshme, rolin e kryetarit të Kuvendit e mori Edi Rama, duke ia kaluar fjalën ministres virtuale Diella, një akt që sipas saj, është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e rregulloren. Më pas fjala, thotë PD, iu kalua Taulant Ballës, duke kaluar brenda 25 minutave të seancës, në votimin e programit dhe të qeverisë së re.
Sipas demokratëve, Peleshi i mohoi të drejtën e fjalës opozitës dy herë dje, nuk mundësoi paraqitjen e programit politik të qeverisë, nuk mundësoi debat parlamentar, si dhe lejoi votimin në kundërshtim, që sipas tyre, është i pavlefshëm.
"Kështu, kryetari i Kuvendit, Z. Niko Peleshi, ka vepruar në shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, duke përdhosur parlamentarizmin dhe minuar funksionimin demokratik të Kuvendit. Në këto kushte, Këshilli për Legjislacionin duhet të fillojë menjëherë procedurën për shkarkimin e saj nga detyra. Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, në mbështetje të nenit 75, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenit 114, pika 4 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të Kryetarit të Kuvendit, Z. Niko Peleshi.", thuhet në shkresën e PD.
Një ditë më parë, PD vijoi me aksionin bllokues, duke bërë zhurmë dhe duke hedhur sende drejt kryeministrit. Demokratët u indinjuan nga fjala që "mori" Diella, ministrja virtuale, ndërsa u paralajmëruan edhe nga Rama se nëse do të vazhdonin kështu, do të kalonin direkt në votim të programit. Teksa vazhduan me të njëjtën sjellje, socialistët votuan me 82 vota pro dhe mbyllën seancën në 25 minuta.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente

Si ju kandadisi Rama ne kete menyre ju beri me leh si qen ndaj "Dielles" si nuk ju vjen turp ju mendoni se ju ka Rama ne liste, jeni bere per gjynah, po turp nuk keni kur dilni e folni, kur thoni ne emer te popullit aty eahte per te qeshur,
Përgjigju