PD kërkon aleatë për 1 listë?! Mediu do kandidatë në çdo qark ku ka vota! Shehi "divorc" pa kthim: Primaret, tallje

25 Shtator, 15:41| Përditesimi: 25 Shtator, 17:44

  • Share

Ilir Meta ishte i përzgjedhuri i Partisë Demokratike për të nisur takimet konsultative me aleatët, për formulën e bashkëpunimit në zgjedhjet e 2025.

Pas tij, një tur takimesh do të zhvillohen me partitë aleate, që ndryshe nga zgjedhjet e shkuara, PD nën drejtimin e Sali Berishës, duket t’i ketë më të pakët. 

Fatmir Mediu i Republikanëve mendon se dalja bashkë, forcon pozitat e opozitës.

“Opozita ka nevojë për një koalicion brenda vetes për të ndërtuar një marrëdhënie koalicioni me qytetarët shqiptarë. Kështu që i takon Partisë Demokratike të ngrejë një grup koordinimi, qëndrimi dhe veprimi brenda opozitës për të krijuar një koalicion sa më të gjerë””, shprehet Fatmir Mediu.

Kushti i Mediut për të qenë bashkë në zgjedhje është i qartë: pesha elektorale e partive përbërëse duhet të gjejë pasqyrim te vendet e sigurta në lista.

“Është e rëndësishme që në çdo zonë elektorale, në çdo qark ku Partia Republikane ka votat e saj të qenësishme që çojnë në fitoren e një mandati, patjetër duhet të ketë kandidat”, thotë Mediu.

Por, ftesën për konsultim si Mediu, nuk do ta pranojë kreu i LZHK Dashamir Shehi, që njëjtë si aleatët e tjerë, doli deputet nga koalicioni opozitar në 2021. Jo-ja e tij, për të qenë në zgjedhjet e ardhshme në aleancë me Sali Berishën është e prerë:

“Jo Flamur Noka të vijë, por edhe Berisha të vijë vetë, kjo punë është e mbyllur”, - thotë Dashamir Shehi.

Refuzimin nuk e bazon te kalkulimet elektorale, por thotë se parimet e ndajnë nga PD e drejtuar nga Berisha.

“Nuk mund të bëjë e djathta shqiptare armiq miqtë më të mirë si SHBA, Europën, Britaninë. Këto kolegët tonë opozitarë në darkë i thonë bande kriminale PAK-ut dhe pastaj shkojnë dorëzojnë letra. Na ndan raporti me drejtësinë e re”, - shprehet Shehi.

Shehi thotë teksa refuzon koalicionin me PD me Sali Berishën kryetar, po bën përpjekje për të bashkuar forcat, për një koalicion të ri opozitar:

 “Gjykoj që formula më e mirë që partitë e tjera të vogla, të reja, në parlament ose jo, të bëjmë një listë të përbashkët”, shtoi kreu i LZHK-së.

Qoftë aleati Mediu, por edhe i zhgënjyeri nga PD, Shehi skeptikë janë për premtimin e Berishës se kandidatët për deputetë do të dalin nga primaret:

 “Unë nuk mendoj që statuti i PD është statut i koalicionit”, pohon Mediu.

“Primaret e tyre janë një tallje. Listat e hapura janë primare. S’ka nevojë pse të lodhen, të pranonin listat e hapura”, mendon Dashamir Shehi.

PD nën drejtimin e Sali Berishës nuk ka humbur vetëm Dashamir Shehin. I dukshëm është distancimi edhe i kreut të PDIU, Shpëtim Idrizi, që në koalicionin me PD në 2021, mori jo pak, por 4 mandate deputetësh.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?