PD kërkon interpelancë me Ballukun për aksin Thumanë-Kashar: Nuk ka transparencë për projektin

14 Shkurt, 11:52| Përditesimi: 14 Shkurt, 13:15

  • Share

Partia Demokratike kërkon interpelancë me ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku duke akuzuar se nuk ka transparencë për projektin e aksit Thumanë-Kashar.

Deputetja Merita Bakiu thotë se ka rrezik që projekti të mos garantojë hyrje-dalje për bizneset e qytetarëve të zonës.

Në deklaratën për mediat, Bakiu tha se prej gati një viti, banorët kanë protestuar dhe ngritur zërin për këtë mungesë vëmendje e transparence e Qeverisë.

Deklarata e plotë e Merita Bakiut

Mungesa e transparencës dhe arroganca e qeverisë po tentojnë të izolojnë një komunitet të tërë sic është dhe Bashkia Krujë. Që prej fillimit të punimeve të aksit Thumanë-Krujë, qytetarëve po i mohohet një ndër të drejtat themelore, ajo e të bërit transparencë të projektit përfundimtar. Ky aks përshkruan një pjesë të konsiderueshme të territorit nën administrim lokal të Bashkisë Krujë, por në mungesë të një transparence mbi hyrje-daljet e këtij aksi kaq të rëndësishëm, rrezikohet të lihet e braktisur nga kjo nyje me rëndësi infrastrukturore për ekonominë e zonës.

Qindra e mijëra biznese, fermerë dhe qytetarë po rrezikohen të mbeten të izoluar, ndërkohë qeveria dhe institucionet përgjegjëse refuzojnë të bëjnë publike projekt-zbatimin përfundimtar të aksit Thumanë-Kashar. Prej gati një viti, banorët e bashkisë Krujë, kanë protestuar dhe ngritur zërin për këtë mungesë vëmendje e transparence e Qeverisë. As pushteti vendor i cili është shndërruar thjeshtë në një zgjatim të qeverisë, nuk e adreson këtë problematikë kaq thelbësore për qytetarët.

Në cilësinë si deputete e Qarkut të Durrësit e në veçanti si përfaqësuese e dhjetëra e mijëra qytetarëve të bashkisë Krujë kam depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një kërkesë pyetjesh drejtuar Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar. Në mënyrë të paprecedentë dhe në shkelje të Rregullores së Kuvendit, e ligjit për statusin e deputetit, të treja këto institucione, përfshirë Kryeministrinë jo vetëm kanë tejkaluar afatet proceduriale të parashikuara por dhe refuzojnë të jenë llogaridhënese ndaj përfaqësues së dhjetëra mijëra qytetarëve të Krujës në Kuvendin e Shqipërisë.

Me të njëjtën arrogancës deputetët e Partisë Socialiste, kanë nisur para-fushatën e premtimeve, por duke refuzuar të përballen me qytetarët e Krujës mbi çështjen e aksit Thumanë-Kashar. Qartazi Edi Rama dhe Ministria Balluku nuk e kanë vëmendjen tek qytetarët, zhvillimi ekonomik, bizneset, e mirëqenia e qytetarëve të bashkisë Krujë, të cilët rrezikohen të izolohen nga një aks me rëndësi kombëtare.

Edi Rama dhe Belinda Balluku po vijojnë të abuzojnë e vjedhin paratë e taksapaguesve shqiptarë e qytetarëve të Bashkisë Krujë, me një projekt infrastrukturor si ai Thumanë-Kashar i cili ndonëse ka një kosto ndërtimi 5 herë më të shtrenjtë se në BE, po rrezikon përjashtimin dhe izolimin me arrogancë të një komuniteti si ai i Krujës, duke rrezikuar të ardhmen dhe zhvillimin ekonomik të saj. Ndaj sot si deputete, përfaqësuese e vullnetit të dhjetëra mijëra qytetarëve të Bashkisë Krujë, dhe njëherazi si qytetare e Krujës, do të kërkoj një interpelancë urgjente me Ministren Balluku për mungesën e transparencës ndaj qytetarëve të Krujës dhe rrezikut të izolimit të tyre nga aksi Thumanë-Kashar.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?