Selia e Partisë Demokratike

Politikë

PD kërkon sqarime nga KQZ: 137 qytetarë figurojnë njëkohësisht në listat e zgjedhësve brenda vendit dhe atyre jashtë vendit

23 Prill, 18:16| Përditesimi: 23 Prill, 18:25

  • Share

Partia Demokratike i është drejtuar Komisionit Shtetëror me një shkresë ku kërkon sqarim lidhur me pretendimet se në regjistrat e votuesve, ekzistojnë të paktën 137 qytetarë të cilët figurojnë në të dy listat e zgjedhësve: atë të votuesve me banim jashtë vendit dhe në atë të të votuesve në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Në kërkesën drejtuar Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, PD thekson se kjo problematikë rrezikon që këta 137 individë të mund të votojnë dy herë.

Kërkesa e Partisë Demokratike drejtuar Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve: 

Nisur nga sa më sipër, kemi disa pyetje për të cilat kërkojmë përgjigje me shkrim nga ana e KQZ:

A janë kryer auditimet e nevojshme dhe a ka rezultuar ky problem gjatë tyre? Nëse po, cili është numri i rasteve të identifikuara në shkallë vendi dhe sipas çdo qarku? Cili është shpjegimi zyrtar për praninë e këtyre 137 rasteve të regjistrimit të dyfishtë?

Çfarë masash janë marrë për eliminimin e dublimeve dhe për parandalimin e votimit të dyfishtë nga këta shtetas? Në rast se është bërë eliminimi i dublimit, në cilën listë do të mbetet zgjedhësi: në listën e votimit nga jashtë (sipas vullnetit të shprehur) apo në listën në RSH, ku është regjistruar në mënyrë pasive?

Duke qenë se afati i finalizimit të listës së votuesve nga jashtë ka qenë më i hershëm sesa ai për listën e votuesve brenda territorit të RSH, cila ishte arsyeja që këta shtetas nuk janë ç'regjistruar nga lista e gjeneruar nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile?

A keni identifikuar përgjegjësi ligjore për këto probleme në institucionet që hartojnë listat përkatëse, përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile? Çfarë veprimesh administrative, disiplinore apo ligjore janë marrë, ose parashikohen të merren, për zyrtarët që nuk kanë garantuar saktësinë e regjistrave?

Lidhur me këto shqetësime, kërkojmë të na vihen në dispozicion të gjitha të dhënat dhe evidencat e këtyre rasteve, të ndara sipas qarqeve.

Po ashtu, vërejmë një tjetër problematikë që lidhet me zgjedhësit nga Diaspora, të cilët janë regjistruar përmes procedurës së gjykimit "online" dhe kanë fituar të drejtën e votës me vendim gjykate. Kjo procedurë është parashikuar në Kodin Zgjedhor, si dhe në Vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Komisionit Rregullator të KQZ-së. Pavarësisht kësaj, një numër prej tyre nuk janë reflektuar në listat përfundimtare të votuesve nga jashtë, çka përbën shkelje të të drejtës së votës dhe vendimeve gjyqësore të formës së prerë.

Kërkojmë përgjigje të qarta mbi sa vijon:

Sa raste të tilla me vendim gjykate janë regjistruar në total si zgjedhës nga jashtë nga KQZ dhe sa raste keni marrë informacion që nuk kanë gjetur dot emrin në listat e votuesve nga jashtë?

Sa prej tyre janë adresuar dhe përfshirë në listat e votuesve nga jashtë?

Si do të rregullohen rastet ku ende nuk janë nisur fletët e votimit drejt zgjedhësve në Diasporë, por nga ana tjetër, zgjedhësit duhet të jenë të regjistruar në listat e votuesve brenda vendit, në zbatim të vendimeve të gjykatave?

Duke qenë se këto shqetësime përbëjnë shkelje të rënda dhe rrezikojnë të prishin themelin e procesit demokratik të zgjedhjeve, ju lutemi të na siguroni këto sqarime dhe dokumente brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e marrjes së kësaj shkrese.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

K.M/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni tonet e përdorura deri më tani në fushatën e 11 majit?