Olsian Çela dhe Altin Dumani

Politikë

PD i ‘troket’ në derë Olsian Çelës: Heto krimet elektorale të 11 majit! Strategjia e SPAK? Asnjë lëvizje për denoncimet tona

31 Janar, 15:08| Përditesimi: 31 Janar, 16:02

  • Share

Kur na ndajnë pak muaj nga zgjedhjet parlamentare, përfaqësues të Partisë Demokratike zhvilluan një takim këtë të premte me Prokurorin e Përgjithshëm Olsian Çela.

Në takimin e kërkuar nga vetë PD përmes një shkrese të datës 24 janar, u diskutua për krimet zgjedhore, pasi përfaqësuesit e selisë blu, i kërkojnë Prokurorisë së Përgjithshme të marrin masa për të parandaluar krimet elektorale në zgjedhjet e 11 majit.

Ndërkohë të pyetur pas takimit me Çelën për strategjinë e krimeve zgjedhore të publikuar pak ditë më parë nga Prokuroria e Posaçme SPAK përfaqësuesit ligjor të PD, Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso shprehën rezerva duke thënë se SPAK nuk ka treguar vullnet në hetimin e dosjeve të krimeve zgjedhore, të denoncuara nga PD.

"Kishim në fokus një nga aspektet më të rënda që sot ndodh. Përdorimin masiv të shtetit. Shteti elektoral i cili ka një numër veprash penale në kodin zgjedhor dhe Prokurori i Përgjithshëm është ai që është në krye të këtij sistemi prokurorie që i ndjek këto çeshtje.

Sigurisht që është edhe shitblerja e votës, korrupsioni zgjedhor që është e SPAK por dominancën e çeshtjeve e mbulon kjo prokurori. Ne kërkuam që prokuroria të këtë një plan masash, të qartë të detajuar, tani, pa vonese në mënyrë që të kemi një veprim efikas dhe të mos mbetet në aspektet deklarative aq më shumë pas zgjedhjeve.

Ne jemi të qartë që kuadri ligjor i jep mundësi të mëdha sistemit të prokurorisë për të goditur paraprakisht krimin zgjedhor si atë që po ndodhë me shtetin këtu edhe me atë në diasporë. Eshtë koha e ndërhyrjeve të drejtepërdrejta nga prokuroria.

Nëse do ketë masa efektive sigurisht që edhe shume veta do te jenë të prirur që të ndalen e te mos bëjnë krime zgjedhore që kanë në bazë pandëshkueshmërinë", thanë për mediat. 

SPAK-u ka në kompetencën e tij, përveç funksionarëve të lartë, edhe veprat penale që lidhen me korrupsionin zgjedhor, ndërkohë që prokuroritë e rretheve kanë në kompetencë të gjitha krimet zgjedhore që lidhen me përdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje dhe presionin mbi administratën.

Në draftin e saj në prag të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor në verën e vitit të shkuar PD kishte propozuar që krimet elektorale të hetoheshin nga një taks-force që do të ngrihej mes SPAK-ut, prokurorive të rretheve, Shërbimit Informativ, Policisë dhe të gjitha institucioneve ligjzbatuese, por ky propozim nuk iu nënshtrua asnjëherë diskutimit.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?