Mirela Karabina

PD me një anëtar për zgjedhjet në Kukës, Karabina: Ankimuam vendimin politik të Celibashit, konfuzon demokratët

21 Gusht 2023, 13:34| Përditesimi: 21 Gusht 2023, 14:52

  • Share

Ashtu siç e kishin paralajmëruar, PD ka ankimuar vendimin e KQZ-së që PD të dalë me një kandidat të vetëm për zgjedhjet në Bashkinë e Kukësit.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja Mirela Karabina thotë se Celibashi ka marrë një vendim politik në shkelje të hapur të ligjit.

“Komisioneri Celibashi, edhe njëherë si në zgjedhjet lokale të 14 majit, ka marrë një vendim politik kundër Partisë Demokratike dhe në shërbim të oligarkisë politike, duke emëruar Partinë e Lirisë si partinë më të madhe opozitare në shkelje të hapur të ligjit. Nëse më 14 maj ndodhi transferimi politik i votës nga Foltorja tek Partia e Lirisë, sot Komisioneri po bën transferimin ligjor duke i konsideruar votat e demokratëve si të LSI-së.

Kodi Zgjedhor përcakton qartë se anëtarët e KZAZ, ndahen mes shumicës parlamentare me opozitën parlamentare. Por Komisioneri ka caktuar që në KZAZ-në e Kukësit, 2 anëtarë do të jenë nga PL (LSI) e cila ka nxjerrë 4 deputetë dhe 1 anëtar do të jetë nga PD që ka nxjerrë 59 deputetë. Vendimi i Komisionerit Celibashi konfuzon qëllimisht demokratët dhe elektoratin opozitar të Kukësit duke cënuar integritetin e procesit. Partia Demokratike ka ankimuar vendimin antiligjor të Komisionerit mbi emërimin politik të opozitës.

Ndërkohë që qytetarët e Kukësit vuajnë pasojat e keqmenaxhimit të qytetit nga keqqeverisja lokale e korruptuar, pēr fatin e tyre nuk mund të vendosin interesat e sëmura të Tiranës. Demokratët e Kukësit duhet të dalin mbi këtë zallamahi interesash personale, të kujdo qofshin ato. Qytetarët kuksianë meritojnë të qeverisen ndershëm me përkushtim dhe pa hije korrupsioni nga pas. Dhe kjo mund të arrihet vetëm me zgjedhjen e një kandidati i cili vendos Kukësin dhe familjet kuksiane para intrigave meskine politike dhe që detyrën e konsideron si përgjegjësi në shërbim të qytetarëve.’- tha Karabina.

Teksa ndodhemi në prag të nisjes së fushatës për Kukësin, Sali Berisha dhe Ilir Meta duket se kanë zbehur koalicionin e tyre të 14 majit Bashkë Fitojmë. Meta nuk ka shprehur interes për të pasur kandidat, ndërsa Rithemelimi nuk ka qartësuar asnjë kandidat. Më herët u mësua se Lulzim Basha ka shprehur mbështetjen për kreun e degës së Kukësit Arif Rexhmati, por vetë dega e Kukësit është në kërkim të një kandidati të unifikuar. Pas thyerjes së besimit nga Safet Gjici, Partia Socialiste kërkon nga kuksianët ti besojnë votën Albert Halilajt.

(Kliko këtu për të parë dokumentin e plotë)

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?