Politikë

PD prezanton kandidatët në Kavajë, Elmar Brook kërkon nga podiumi shans të tretë për mikun e tij: Ta heqim kryeministrin! Berisha: Rama fushatë me batuta banale

25 Prill, 20:43| Përditesimi: 25 Prill, 23:22

  • Share

Partia Demokratike dhe aleatët e saj prezantuan sot në Kavajë kandidatët për deputetë të qarkut të Tiranës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Në këtë takim ka pasur edhe përfaqësues të partive popullore europiane, simotra të PD-së në Europë, por edhe deri nga Venezuela.

Mes tyre ishte edhe Elmar Brook, miku personal i Sali Berishës, i cili u shfaq edhe në banesën e ish-kryeministrit gjatë kohës kur ai ishte në arrest shtëpie për aferën Partizani. Brook mbajti fjalim elektoral pro PD-së dhe u shpreh se ashtu sikurse nxorën në pension homologun e kryeministrit shqiptar, ashtu më 11 maj shqiptarët do nxjerrin në pension edhe Edi Ramën.

“Berisha e ka çuar vendin tuaj drejt një të ardhme me të mirë, e ka anëtarësuar në NATO. Tani është koha që t’i jepet shansi i tretë Berishës. Atë që bëtë më 1990, bëjeni përsëri”, tha ai mes të tjerash.

Pas fjalimeve hapëse nga të ftuarit nga partitë e djathta, foli kreu politik i PD-së, kryebashkiaku i Kavajës Fisnik Qosja, i cili tha se “po ndezim një zjarr shprese”.

Teksa prezantonte kandidatët, Qosja përmendi edhe emrin e kandidatit Elton Roshi, kushëririt të ish-kryebashkiakut socialist Elvis Roshi, i cili u prit me ovacione nga të pranishmit.

“Qeveria e ka braktisur Kavajën, mungesë investimesh dhe projektesh, rrënim i arsimit dhe dhëndetësisë dhe varfëri ekstreme. Fjalë dhe vetëm fjalë nga qeveria. Kavaja ka humbur gati gjysmën e nxënësve, një tragjedi. Ka shumë për të thënë për këtë qeveri. Kjo quhet ikje, plakje, vdekje”, tha Qosja mes të tjerash.

Berisha mbajti një fjalë hyrëse të gjatë me falenderime për miqtë e tij nga PPE-të dhe Venezuela, duke thënë se ashtu si në vitin 2005 me vizitën e tyre, do jenë shenjë e fitores edhe më 11 maj.

“Përshëndes mikun tim Elmar Brook, mikun historik të shqiptarëve, që na ka mbështetur dhe na mbështet në këtë betejë tonën për triumfin ndaj diktaturës dhe neodiktaturës në Shqipëri. Prania e tyre si në 2005 lajmëron fitoren tonë historike edhe më 2005-ën.

Falenderojmë mbështetjen e opozitarëve nga venezuela, që luftojnë prej vitesh me diktaturën e Maduros. Sot Ramën në Velipojë e shoqronte Pëllumb Gjoka, McGonigal, Sajmir Tahiri, Lefter Koka e të tjerë, një bandë e vërtetë e shoqëronte”, tha Berisha në fjalën e tij, teksa ua ngatërroi disa herë emrat dhe pozicionet në parti këtyre miqve të ftuar.

Ndërsa bëri premtimet elektorale para mbështetësve, për rroga e pensione të larta, mbështetje për rininë dhe rikthimin e emigrantëve me subvencione biznesi, Berisha u shpreh se "më 11 maj do ia shtypte kokën Ramës".

"Garantoj se më 11 maj, Edi Rama i shtypet koka dhe bishti në Shqipëri! Më 5 nëntor iu shtyp koka Sorrosit, më 11 maj do i shtypet koka Ramës. Do përfundojë në katakombet e historisë, Shqipëria nën shembullin e Kavajës do ngrihet në një udhëtim të ri, drejt të ardhmes, drejt Europës. vetëm ne, aleanca madhështore e integron Shqipërinë në BE, ne jemi lokomotiva e integrimit të vendit. Rama bën fushatë me skeçe dhe batuta banale", tha ai mes të tjerash.

Në fund kreu i selisë blu kërkoi votën për PD-në dhe koalicionin opozitar, duke theksuar se vetëm Partia Demokratike e integron Shqipërinë në Europë.

Ora 21:40
Berisha paralajmëron kryeministrin: Bën batuta banale dhe të turpshme për gra e burra! Vetëm koalicioni ynë madhështor e integron vendin

 

Kreu i PD-së, Sali Berisha, në fjalimin e tij në Kavajë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, premtoi mbështetje për fermerët, bujqit, të rinjtë, programe shkollimi dhe strehimi, si dhe kredi të buta.

Ai nënvizoi se qeverisja e Edi ramës në 12 vite nuk regjistron asnjë rekord pozitiv, por vetëm dështime, të cilat sipas Berishës, përpiqet t’i mbulojë me “batuta dhe skeçe të turpshme për gra kundër burrave dhe burra kundër grave”.

“Mesatarja do hiqet, dyert e universiteteve do hapen. Të rinjtë do punësohen, rrogat do rriten, një çati për çdo çift të ri, grant 30 mijë euro për kredi strehimi. Do i kthejmë nga emigracioni, 5 vjet pa taksa për bizneset, start-upet do mbështetën, është programi ynë. Fermerët do njohin pesëfishimin e subvencioneve për ta. Për çdo fidan, kokë bagëti, do marrin shumfishin e subvencionit. Narkodiktator më të pashpirt se Edi Rama nu ka pasur, edhe pse ka pasur diktaturë më parë. Ka një forcë të caktuar, lokomotivë e integrimeve europiane të Shqipërisë në Europë dhe ky ëhstë vetëm koalicioni ynë, koalicioni i fitores, koalicioni madhështor”, u shpreh kreu i selisë blu, duke thënë se vetëm PD e integron Shqipërinë në BE.

Dhe renditi ato që i quajti dështime të Ramës dhe PS-së, teksa paralajmëroi nga podiumi kryeministrin se “do i shtypej koka dhe bishti” më 11 maj:

“Shikoni në krahun tjetër, në 12 vite, ka një rekord me dështime dhe nuk ka rekord me arritje, ka vetëm vjedhje. Nuk ka rekord dhe përpiqet ta kalojë me batuta, me desintegrimin e familjes, me sulmin ndaj familjes, përpiqet të grabisë vota. Ne jemi parti e traditës familjare, konservatorë, me integritet. I them Ramës se përpjekjet e tua qesharake, banale, të padenja, për të krijuar skeçe me gra kundër burrave dhe burra kundër grave janë turpi i dheut, ndaj garantoj se më 11 maj, Edi Rama i shtypet koka dhe bishti në Shqipëri! Më 5 nëntor iu shtypkoka Sorrosit, më 11 maj do i shtypet koka Ramës. Do përfundojë në katakombet e historisë, Shqipëria nën shembullin e Kavajës do ngrihet në një udhëtim të ri, drejt të ardhmes, drejt Europës”, u shpreh Berisha.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni tek strategjia e SPAK për parandalimin e krimeve zgjedhore?