Selia e Partisë Demokratike

PD nuk duhet të sillet si opozita e Robin Hoodit me biznesin

29 Qershor 2022, 11:58| Përditesimi: 29 Qershor 2022, 12:04

  • Share

Prej 9 vitesh Edi Rama dhe socialistët e rilindur vijojnë të qeverisin Shqipërinë dhe të administrojë paratë dhe fondet publike që në fakt janë paratë e shqiptarëve të mbledhura në formë taksash apo tatimesh, por edhe donacionet e institucioneve ndërkombëtare, apo huatë e grantet financiare që përdoren edhe për investime publike nga te gjitha llojet.

Në po kaq vite opozita, në mënyrë të veçantë PD ka denoncuar keqadministrimin dhe abuzimin e parave nga buxheti i shtetit përmes prokurimeve apo tenderave në individë, apo grupe sipërmarrësish që etiketohen “si të preferuarit” apo në zhargonin e zakonshëm oligarkët. Vigjilenca për të mbajtur nën presion qeverinë ndaj korrupsionit nuk ka asgjë të keqe. Çështja është se mënyra e gjetur nga opozita për të denoncuar korrupsionin nuk është e duhura dhe nuk ka dhënë rezultat, për te mos thënë që ka bërë efekt të kundërt.

Një nga shkaqet që këtë sjellje dhe qasje të opozitës e ka bërë jo bindëse, është mënyra e përdorur për denoncime të tipit proletar ose alla Fronti Demorkatik, duke krijuar më shumë zhurmë dhe propagandë se rezultat. Nuk është më risi edhe dyshimi se qëllimi i këtyre denoncimeve nuk është transparenca, por linçimi publik për t’iu bërë presion kompanive apo firmave të ndryshme të paguajnë “haraçin” ose thënë troç gjobën në këmbim të heshtjes denoncuese politike. Ndryshe nuk ka sesi ndër vite shumë denoncime janë tretur si kripa në ujë. Një tjetër problem në besueshmërinë e denoncimeve të opozitës është përmendja selektive e disa kompanive dhe firmave.

Nuk ka shpjegim tjetër se si përmenden emra të përveçëm të gjuajtur si në frëngji duke iu komprometuar rëndë reputacionin nga kjo mënyrë që nis nga më e pakta përdorimi politik, deri te shantazhi për përfitime. Kjo është një lloj gjuetie shtrigash që dëmton rëndë besueshmërinë te biznesi që në një vend pa strategji, pa politika afatgjata dhe pa garanci, vërtetë duhet konsideruar si shumë i guximshëm ai/ajo person ose grup biznesi që vijon të investojë e të punësojë mijëra njerëz dhe të mbajë qindra mijëra familje me të ardhura e mundësi jetese. Nëse vendos të merresh ose krijosh një sipërmarrje në Shqipëri, fillimisht duhet të kalitësh veten me stresin që ke nga marrëdhëniet me politikën.

Duhet të mendosh rrisqet nga ndryshimet e pushtetit, nga politikat e format e njërës qeveri nga tjetra, tekat, madje edhe inatet personale të humoreve të bosëve të pandryshueshëm të politikës. Të gjitha këto janë kosto e presione që i di l, i heq dhe i ka hequr kurrizi i sipërmarrësve që kanë provuar të investojnë në Shqipëri. Nuk çuditet tanimë askush kur para fushatave zgjedhore sipërmarrësit janë të parët që votojnë por jo në kuti votimi. Ata “votojnë financiarisht” paraprakisht në mënyrë proporcionale sa në njërën seli partie në tjetrën, për të siguruar vazhdimësinë e biznesit pavarësisht se kush do marrë të nesërmen e zgjedhjeve çelësat e qeverisë.

Ai që nuk kryen këtë proces votimi është në “Black List” thënë shqip listën e zezë te linçimit publik si abuzues dhe spekulant. Ndaj është shumë kollaj të godasësh ata që anatemohen shpesh me pa të drejtë si abuzuesit më te mëdhenj, por në fakt janë më të abuzuarit dhe keqpërdorurit nga politika. Dikujt që lexon këto rreshta ndoshta i duket se janë lajthitje, por duhet vënë vetja në rolin apo nën lëkurën e sipërmarrësve për të kuptuar stërmundimet dhe streset amorale të tyre për të ruajtur stabilitetin e mundimshëm të biznesit të tyre. Vetëm nëse kuptojmë këtë presion të vazhdueshëm do mund t’i thuhet “stop” stigmatizimit publik të tyre. Nëse ka dikush prova e fakte derën e organeve ligjzbatuese e di e të shkojë atje për çdo pretendim për abuzim. Ndryshe përdorimi i emrave me porosi e prapavijë, veçanërisht politike, është një gjueti e shëmtuar dhe qëllimkeqe’ për kapital publik apo më keq për gjobvënie. Beznesi është zemreku i ekonomisë së një vendi.

Mendoni sikur të shkatërronim çdo njërin prej atyre që sot janë shtresa e konsoliduar e sipërmarrjes në Shqipëri, se si do katandisej ekonomia e vendit. Si një orë që mezi punon dhe të shumtën e kohës ngel ne vend. Ky është shekulli 21, nën epokën dixhitale. Nuk është epoka robinhudiane që në mënyrë populiste shënjestrohen ata që investojnë mund e para, për t’i bërë shembull demaskimi e diskriminimi. Është provuar se këto mënyra nuk prodhojnë ansje efekt, përveç se krijojnë klimë pasigurie, pështjellim dhe perceptim se në Shqipëri nuk mund të ngresh e kesh sipërmarrje.

Politika ka arritur të fusë në ndasi edhe biznesin duke kategorizuar disa si biznesmenë të djathtë e disa te majtë. Nëse po kërkohet një biznes i shëndetshëm, ndërgjegjësimi fillon nga vetja, falja dhe distancimi nga këto mënyra e metoda inkuizicioni publik gjithashtu. Politika bën mirë të bëjë politikë, biznesi, biznes e drejtësia, drejtësi për te gjithë në tërësi. Engjëlli mund të shndërrohet në diall, por vështirë se djalli shndërrohet në engjëll. Ata që bërtasin më shumë kundër biznesit sot janë diaj, edhe pse përpiqen të shfaqen si engjëj!

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?