Politikë

Zgjedhjet/ PD kërkoi përjashtimin e Bidos nga lista e PS: Është ende drejtori i Arkivave! Kandidati i PS nxjerr dokumentin: Doktor dole blof, ja akti i pezullimit

29 Mars, 15:29| Përditesimi: 29 Mars, 16:02

  • Share

TIRANË- Partia Demokratike me një deklaratë nga selia blu shigjetoi sërish kandidatin e PS për deputet, Ardit Bidon, duke i kërkuar KQZ përjashtimin e tij me pretendimin se ishte ende në detyrë si drejtor i Arkivave.

“Partia Demokratike kërkon nga KQZ të heqë nga kandidimi Ardit Bidon si kandidat të konfirmuar të PS , por i pa dorëhequr me vetëdije”, tha zëdhënësja për Anti-Korrupsionin në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli.

I menjëhershëm ishte reagimi i Ardit Bidos, i cili i thotë Berishës se doli serish blof dhe krahas reagimit publikon edhe dokumentin e Departamentit të Administratës Publike të Shqipërisë për pezullimin nga shërbimi civil të z. Bido, si drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, siç e parashikon Kodi Zgjedhor. Bido thotë se akti mban datën 12.03.2025, pra një ditë para se të kandidonte si deputet nën siglën e PS. 

"Doktor dole prapë bllof: shihemi në Kuvendin e Shqiptarëve?? PD e Belerit që e ka zënë halli se i del që do më ketë përballë në parlament e s’ka nga të fshihet më, doli për të dytën ditë radhazi në konferencë për shtyp vetëm kundër meje nga mbi 180 kandidatë të PS në këto zgjedhje, duke bërë bllofin e radhës. Thanë që nuk kam hequr dorë nga drejtor i Përgjithshëm i Arkivave, se as dinë të lexojnë ligjin e as të shohin dokumentet: aktin e pezullimit nga DAP që mban datën 12.03.2025, pra një ditë para se të kandidoja! S’ka habi: kështu është kur niveli intelektual i këshillimit të PD është ai i dijetarit të madh Fredi Beleri Doktor, mos dil më bllof! Sa herë të flasësh, aq herë do më gjesh përballë me të vërtetat historike e aktuale siç do jemi përballë në parlamentin e shqiptarëve, ti me aleancën e antishqiptarisë madhështore e unë me pastërtinë time", shkruan Bido. 

Në një video, Bido shprehet se pak para aktit delegoi kompetencat, siç e parashikon ligji, te zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, deri në kthimin në detyrë të titullarit, qoftë vetë Bido ose dikush tjetër. 

"Për ditën e dytë rresht, Partia Demokratike del në konferencë zyrtare për shtyp vetëm kundër një kandidati, kundër meje. Duket se i ka zënë frika se çfarë do ta gjejë nesër “Aleancën e Antishqiptarisë Kombëtare të Madhe, Madhështore”, kur të gjendet përballë meje në foltoren e Kuvendit të shqiptarëve. Doli sot zëdhënësja e PD-së dhe tha që Ardit Bido nuk ka dhënë dorëheqjen, duhet që KQZ-ja ta përjashtojë. Nuk më përjashtoni dot me teknikalitete, sepse ju nuk dini të lexoni ligjin. Ju nuk dini të kërkoni dhe të shihni dokumentacionin.

Ligji për nëpunësin civil përcakton se titullarët e institucioneve pezullohen me akt të Departamentit të Administratës Publike. Po të donit, e kishit parë në KQZ që ky akt ekziston prej datës 12 mars. Si njeri i përgjegjshëm, pak para këtij akti, delegova kompetencat, siç e parashikon ligji, te zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, deri në kthimin në detyrë të titullarit; qofsha ai unë, qoftë dikush tjetër. Por, kur ekspertizën ligjore, ekspertizën ekonomike, ekspertizën e të gjitha fushave e merr nga njerëz të cilët janë me brumë të lartë intelektual, si Fredi Beleri, këtu do të përfundosh.

Doktor, të lutem, dita e dytë, mos dil më bllof! Mos dil më bllof! Do të shihemi në Parlament dhe do të flasim përballë, ashtu siç na takon: një njeri i cili nuk i fshihet pas gishtit asnjë të vërtete dhe një njeri i cili ndryshon qëndrimet sipas interesit të radhës. Shihemi në Kuvendin e shqiptarëve", shprehet Bido. 

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?