Në komisionin e Ligjeve, teksa po diskutohej projektligji “Për shërbimin spitalor”, deputetët e Partisë Demokratike janë përplasur me zv ministren Mira Rakacolli për spitalet publike, duke thënë se gjendja e tyre është skandaloze. Oerd Bylykbashi akuzoi se në urgjenca mungojnë elementet bazë.
Mbledhja e Komisionit të Ligjeve u shoqërua me debate të ashpra mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe Zv ministres së Shëndetësisë, Mira Rakacolli.
Oerd Bylykbashi akuzoi se në urgjenca mungojnë elementet bazë, teksa sipas tij problemi i largimit të mjekëve po thellohet.
“ Për spital njerëzit thonë atë shprehjen e Dandes, leji pas shpresat kur të hysh këtu, nuk gjenden as elementet bazë të urgjencës, flas nga eksperienca personale, mjeku thotë shko bli edhe pambukun, deri te mënyra sesi trajtohen mjekët, mos hajdeni të na paraqisni sikur është situatë e mirë sepse është skandaloze “- tha Oerd Bylykbashi.
“Jam ajo mjeke që mbaja ilacet ne xhep se shkoja dhe i bleja në farmaci se më vinte turp të thoja që si kemi.”- u shpreh Mira Rakacolli.
Problematikën e mungesës së mjekëve e ngriti si shqetësim edhe deputetja demokrate e Shkodrës, Greta Bardeli.
"Kemi dy mjekë, njëri mungon përkohësisht te urgjenca për arsye shëndetësore"- u shpreh Mira Rakacolli
Nuk i shpëtoi përfshirjes në debat as deputeti socialist Pandeli Majko.
"Sikur të bënit ju dicka më mirë në këtë gjendje që jeni sot, do ju kisha dhënë të dyja duart”- u shpreh Pandeli Majko
Pa votat e opozitës, komisioni i ligjeve i dha dritën jeshile projektligjit “Për shërbimin Spitalor” i cili sipas Rakacollit, synon autonominë e spitaleve dhe përmirësimin e shërbimit të sistemit shëndetësor.