Deputetja Zheni Gjergji tha se hetimet për abuzimin me pacientët te spitali Onkologjik duhet t’i marrë në dorë SPAK dhe të shkojë deri te përgjegjësit në krye të qeverisë që sipas saj nuk kanë marrë masa pavarësisht denoncimeve të opozitës dhe mediave.
“SPAK dhe organet e Drejtësisë do të duhet të angazhohen në një hetim të thelluar pse mungojnë medikamentet pranë Onkologjikut dhe shërbimet e tjera spitalore? Është provë besimi për SPAK që kësaj problematike skandaloze të mungesës së medikamenteve, të mos trajtimit shëndetësor të duhur, vjedhjeve dhe abuzimeve ti japë përgjigje me forcën e ligjit. Përpara se media të hidhte dritë e prokuroria të vepronte, Rama dhe Manastirliu e dinin mirë gjendjen, por nuk ndërmorën asnjë veprim. Brakiterapia dhe Ortovoltazhi nuk kanë punuar për një kohë të gjatë në vitin 2022 duke i hequr të drejtën e jetës rreth 600 grave. Aparatura e kobaltit prej vitesh nuk vihet në punë, por qëndron korridoret e Spitalilit Onkologjik, si një dëshmi se jeta vlen shumë pak. Krimet në shëndetësi kanë emër, dhe për të pasur drejtësi të vërtetë, prangat duhet të kërcasin edhe më lart, në krye të punëve”, tha Gjergji.