Shoqatat e bizneseve dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkojnë nga qeveria të lejojë importin e mbetjeve, të ndaluar prej 2013-ës. Sipas tyre, mbetjet që i përdor gjithë Evropa apo fqinjët mund të shpëtojnë industrinë ricikluese nga falimentimi, si dhe ulin ndotjen për industritë prodhuese. Kërkesa e tyre këtë herë u mbështet edhe nga PD-ja që e kundërshtoi këtë proces në 2016-ën.
***
‘Po zhduket industria e riciklimit, hallka kryesor e trajtimit të mbetjeve’. Mbi këtë argument shoqatat e biznesit dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkuan nga ligjvënësit të lejojnë importin e mbetjeve që janë pjesë e Listës së Gjelbër të BE-së.
“60 ndërmarrje kemi qenë, sot kemi vetëm 10 ndërmarrje. Sot industria e riciklimit është e asfiksuar”, tha Vullnet Haka.
Të thirrur në seancë dëgjimore në Komisionin e Burimeve Natyrore, për të diskutuar mbi projektligjin ‘Për menaxhimin e integruar të Mbetjeve’, industria ricikluese, tha se po u mohohet lënda e parë në aktivitetin e tyre.
“Në ligj e keni parashikuar riciklimin, por a ka industri ricikluese pa pasur lëndë të para? Kjo ndalesë është pengesë e madhe, nuk mund të ecet përpara pa industrinë ricikluese”, u shpreh Reshat Mansaku përfaqësues i shoqatës së prodhuesve.
Industritë prodhuese si ajo e çimentos kërkojnë që mbetjet që lejohen edhe në BE, t’i përdorë si lëndë djegëse në vend të mbetjeve të naftës.
“Ne kemi propozuar që të lejohet importi i dy lloje linja mbetjesh të linjës së gjelbër për tu përdorur në industrinë e çimentos. Në vend të koksit të naftës që përdorim sot ne do të djegim ‘RDF, ‘SRF dhe hirin fluturues, që janë letër, karton, plastikë dhe mbetje të termocentraleve. Janë mbetje të lejuara në BE, nuk janë të lejueshme”, tha Dritan Nako nga dhoma Amerikane e Tregtisë.
Kjo kërkesë e bizneseve bëri edhe PD-në të ndryshojë ‘pllakë’. Gati 1 dekadë pasi paralajmëruan ‘referendum’ për të ndaluar importin e mbetjeve, situata ka ndryshuar tërësisht, pasi PD-ja mbështet tashmë importin e mbetjeve.
“Pse po e pengojmë? Kush është arsyeja? Se nuk paska kapacitete për ta monitoruar. Ne nuk mund ta asfiksojmë ekonominë ricikluese me nenin 72 që keni parashikuar në ligj. Hajde ta rishikojmë këtë draft, që të fusim dhe elementët e kërkuar, që të funksionojë edhe industria, që të mos i çojmë drejt falimentit”, tha deputeti i PD-së Blendi Himçi.
Kërkesa e industrisë u mbështet nga deputetë edhe në radhët e PS-së.
“Po kur i përdorin të gjithë, pse ne nuk i lejojmë? Duhet ta shikojmë me kujdes këtë çështje, dhe të vlerësojmë ndikimin e industrisë. Nuk mund të bllokojnë industrinë për çështje burokratike. Pse duhet të dalim ne flamurtarë kur këto mbetje lejohen edhe në Ballkan”, tha deputeti i PS Vullnet Sinaj.
Por pse Ministria e Mjedisit nuk e lejon importin e mbetjeve, që përdoren në vendet e BE-së dhe në Ballkan?
“Ne kemi vlerësuar se ende nuk i kemi të gjitha kapacitetet dhe mekanizmat e kontrollit dhe monitorimit të këtyre mbetjeve. RDF-ja është lëndë e parë dytësore por është mbetje. Pastaj ne mendojmë që në momentin që do të fillojë ndarja e mbetjeve në burim, do të ketë lëndë të parë për djegie nga mbetjet tona, dhe kjo është një tjetër arsye”, tha Elvana Ramaj Drejtore për Ekonominë Qarkulluese në Ministrinë e Mjedisit.
Kjo nismë është diskutuar edhe në vitin 2016, ku aso kohe deputeti i PS-së Eduard Shalsi, pati propozuar që të lejohet importi i mbetjeve, që bëjnë pjesë në ‘Listën e Gjelbër’, të BE, ku listohen mbetje, nga ato të hekurit, aluminit, mbetjet e kafshëve, shpendëve, mbetje plastike, hire, mbetje qeramike etj.
Importi i mbetjeve ka qenë i lejuar deri në vitin 2013, por që u ndalua menjëherë pas ardhjes në pushtet të socialistëve.
Komente
