Floriana Garo

Politikë

PD: Rama kopjoi programin tonë! E shpalli sot të linte në hije fronëzimin e Kryepeshkopit Joani

29 Mars, 19:35| Përditesimi: 29 Mars, 19:40

  • Share

1743273553_WhatsAppImage20250329at16.20.45.jpeg

Partia Demokratike ka reaguar pas prezantimit të programit elektoral nga kryeministri Edi Rama, për të cilin tha se e ka vjedhur nga PD. Përmes zëdhënëses Floriana Garo, PD nënvizon se suksesi i qeverisë gjatë këtyre 12 viteve në pushtet është shpopullimi masiv, me mbi 1 milionë shqiptarë të larguar.

Po ashtu, PD thekson se Edi Rama mungoi sot në ceremoninë e fronëzimit të Fortlumturisë së tij Joanit, kryepeshkopit shqiptar të Kishës Ortodokse Autoqefale, dhe sipas tyre, kur prelati ortodoks po kurorëzohej, kryeministri hodhi në media programin e Partisë Socialiste.

Deklarata e plotë: 

Pas 12 vitesh në pushtet, suksesi i të cilëve ishte shpopullimi masiv, me mbi 1 milion shqiptarë të larguar, kryeministri në ikje nuk bëri gjë tjetër veçse përsëriti veten në vitet 2013, 2015, 2017, 2019 dhe 2021.

Ofroi të njëjtën përrallë të pesë herëve të tjera.

Ai nuk bëri gjë tjetër veçse kopjoi kundërshtarin politik, Sali Berishën, duke ofruar 4 muaj pas tij, pensionin minimal 200 euro dhe rrogën minimale 500 euro.

Ai nuk bëri gjë tjetër pra, veçse gënjeu për të pestën herë dhe kopjoi për të disatën herë.

Pensionistët duhet të pyesin kryeministrin në ikje: pse nuk e bëre pensionin minimal 200 euro për 12 vjet?!

Të keqpaguarit e Shqipërisë duhet ta pyesin Kryeministrin në ikje: pse nuk e bëre rrogën minimale 500 euro në 12 vjet?!

Shifrat që paraqiti sot Edi Rama janë të gënjeshtërta edhe për një arsye tjetër.

Në kohën e qeverisë së Partisë Demokratike euro këmbehej me 140 lekë, sot është 98 lekë.

Rënia e monedhës së BE nuk ka të bëjë me forcimin e lekut, por me futjen e narko-euros në ekonomi. Kjo ka dërrmuar eksportet dhe xhepat e shqiptarëve, sepse shumica e tyre, në mos paguhen, blejnë në euro.

Sot kryeministri në ikje shpalosi programin e megamashtrimeve, i futur në një fluskë elektronike.

Kush e pa sot, dhe kush voton më 11 maj, duhet të pyesë veten: nëse kryeministri në ikje ka bërë çfarë thotë, dhe do të bëjë çfarë gënjen, si ka mundësi që shqiptarët ikën dhe po ikin?

Çfarë i shpjegon 1 milion të ç’atdhesuar?!

Edi Rama mungoi sot në ceremoninë e fronëzimit të Fortlumturisë së tij Joanit, kryepeshkopit shqiptar të Kishës Ortodokse Autoqefale, dhe kur prelati ortodoks po kurorëzohej, ai hodhi në media programin e PS.

Televizionet e qeverisë, me urdhër të tij, ua hoqën fishën qindra mijëra ortodoksëve shqiptarë, por edhe vëllezërve të tyre nga fe të tjera, që të mund të dëshmonin këtë moment historik në jetën e kombit.

Në përcjelljen e Hirësisë së Tij, Janullatos, ai ishte, por me sa duket jo për të ndjerin, po për fotot me kryeministrin grek Micotaqis.

Ky është Edi Rama. Me 11 maj, refuzojeni!


Lajmi kryesor:

Programi i PS për ‘Shqipërinë 2030’/ PD: Rama ofroi të njëjtën ‘përrallë’ si herët e tjera! Meta: Vodhi premtimet tona elektorale! Basha: Ke investuar te 313-ta


Xh.D/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?