PD reagon për raportin e Moneyval: OFL spektakël politik me zyrtarë të kamufluar, mungon vullneti për luftimin e parave të krimit

22 Shkurt 2020, 11:23| Përditesimi: 22 Shkurt 2020, 11:25

  • Share

Partia Demokratike ka reaguar për raportin e Moneyval, duke thënë se kjo tregon që mekanizmat dhe vullneti politik për të luftuar paratë e pista mungon nga ana e qeverisë. Ish deputetja Jorida Tabaku tha se futja e Shqipërisë në listën gri të pastrimit të parave tregon se operacioni 'Forca e Ligjit' është një spektakël politik me zyrtarë të kamufluar që thërrasin emrat e të fortëve që më pas shpallen të pafajshëm.

Gjatë deklaratës së saj, Tabaku tha se kur PD të vij në pushtet do të luftojë paratë e pista të krimit me ligjin anti-mafia dhe parimin 'ndiq paranë' që do të mundësojë sekuestrimin e aseteve të vendosura nga krimi i organizuar dhe luftojë oligarkët.  

'Fatkeqësisht dje Shqipëria është vendosur në zonën gri nga Moneyval, institucioni që merret me shqyrtimin e vendeve ku pastrohen paratë. Jemi vendi i vetëm në Europë që jemi përfshirë në këtë listë dhe kjo tregon që mekanizmat dhe vullneti politik për të luftuar paratë e pista mungon.  Afërmendsh, milionat që shpenzohen sa nga ndërtimi e në fusha të tjera, droga që qarkullon në vend që prej shtatë vitesh me një volum qindra herë më të lartë, siç raporton edhe Guardia Di Finanza, janë prova të qarta.

Lufta kundër pastrimit të parave të pista ka qenë një nga kauzat që PD ka ngritur që në fillim duke kërkuar angazhim serioz kundër një prej krimeve ekonomike më vdekjeprurëse për ekonominë, punësimin dhe shoqërinë.

Këtij pushteti i mungon ky vullnet sepse siç është vërtetuar ai është i lidhur drejtpërdrejt me pastrimin e parave. Spektakli politik me zyrtarë të kamufluar që thërrasin emrat e të fortëve që më pas shpallen të pafajshëm, është pastrim figure dhe jo luftë ndaj krimit.

Shqipëria është në ditë të vështirë, shqiptarët janë viktima të një keq qeverisje me dashje. Ne nuk meritojmë një vend të prapambetur dhe çerdhe e pastrimit të parasë.

Prandaj PD ka propozuar një ligj që do të luftojë deri në fund logjikën e sotme të ekonomisë së pastrimit të parave. Ligji Anti-mafia do të luftojë jo vetëm oligarkinë për ta çliruar tregun nga duart e oligarkëve por edhe do të mundësojë luftën ndaj pastrimit të parave. Me parimin ndiq paranë ne do të mundësojmë sekuestrimin e aseteve të vendosura nga krimi i organizuar , do të luftojmë në çdo ind të ekonomisë krimin ekonomik dhe të vendosim përpara drejtësisë fajtorët.

Ne, nuk do të ndërtojmë një infrastrukturë që do të justifikojë pasurinë e të inkriminuarve. Përkundrazi do të angazhojmë gjithë fuqinë e shtetit për të evidentuar dhe dënuar ata që sot po pastrohen në rrugë antiligjore nga qeveria", tha Tabaku.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?