PD sulmon kandidatin e Berishës për Dibrën: Premtim Kryemadhi bashkëshorti i prokurores që mbrojti bandën e Edi Ramës në dosjen 184! Sqaron komunikimin e Nokës me Manjën

2 Shkurt 2022, 09:42| Përditesimi: 2 Shkurt 2022, 09:51

  • Share

Partia Demokratike ka sulmuar kandidatin e Sali Berishës për bashkinë e Dibrës, Premtim Kryemadhin, të cilin e akuzon si pjesë e skemës së bashkëpunimit Rama-Meta-Berisha. PD thotë se Krymadhi është bashkëshorti i Belina Zenelit, e cila u shkarkua pak ditë më parë nga KLP, pasi ju gjetën shkelje në kryerjen e detyrës. Sipas PD-së, bashkëshortja e Kryemadhit, mbrojti bandën e Edi Ramës, duke mos hetuar dosjen 184 të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër, dhe kjo për PD-në është poshtërsi dhe tallje me dibranët dhe demokratët dibranë që masakrën zgjedhore e provuan të parët në 2016.

PD thekson se Premtim Kryemadhin nuk e lidh asgjë me PD-në dhe por përzgjedhja e tij sqaron më së miri komunikimin privat të Flamur Nokës me Ulsi Manjën, ndërsa shton se nëse bashkëshortja e Kryemadhit  do të hetonte dosjen 184, Ulsi Manja do ishte në burg.

‘Kandidati i Dibrës është poshtërimi që Berisha iu bën demokratëve.  Kandidimi në Dibër i bashkëshortit të prokurores që mbrojti bandën e Edi Ramës, duke mos hetuar dosjen 184 të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër, është poshtërsi dhe tallje me dibranët dhe demokratët dibranë që masakrën zgjedhore e provuan të parët në 2016.

Premtim Kryemadhin nuk e lidh asgjë me demokratët, por përzgjedhja e tij sqaron më së miri komunikimin privat të Flamur Nokës me Ulsi Manjën. Nëse bashkëshortja e Kryemadhit  do të hetonte dosjen 184, Ulsi Manja do ishte në burg.

Tashmë skema e bashkëpunimit Rama-Meta-Berisha është e qartë për çdo shqiptarë. Po zgjodhe Sali Berishën e  Ilir Metën mban Edi Ramën. Nëse zgjedh Edi Ramën mban Sali Berishën dhe Ilir Metën.’- shkruan PD.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka shkarkuar nga detyra prokuroren e Dibrës Belina Zeneli, pas kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD).

Më 20 janar, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkoi shkarkimin e Zenelit, duke e akuzuar se ka zvarritur 10 çështje gjyqësore dhe ka cenuar besimin te drejtësia. Sipas ILD, Zeneli ka zvarritur hetimet paraprake duke mos i kryer veprimet hetimore në kohë dhe në dinamikë për periudha të gjata kohore të gjata, tej afateve procedurale dhe pa pasur arsye ligjore.

ILD argumentoi në kërkesën e saj se nga veprimet e prokurores Belina Zeneli, nuk i janë dhënë zgjidhje ligjore 33  procedimeve penale, si dhe nuk është kryer asnjë veprim verifikimi në lidhje me 300 kallëzime.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?