Politikë

PD vijon negociatat me aleatët për zgjedhjet në Tiranë! Hasimja dhe Çepani, dy emrat në tryezë! Kapri: Duhet kandidat apolitik

1 Tetor, 11:08| Përditesimi: 1 Tetor, 16:11

  • Share

TIRANË- Dy janë emrat që po diskutohen në tryezën e PD me aleatët për të zgjedhur kandidatin që do të përballet me Ogerta Manastirliun në zgjedhjet e Tiranës. Burime për Report Tv, bëjnë me dije emrat që po diskutohen si kandidatë të mundshëm, janë aktivistja Edlira Çepani, bashkëshortja e të ndjerit Gerti Bogdani, si edhe politologu Ermal Hasimja.

Këto janë dy emrat e parë të artikuluar deri më tani, ndërsa negociatat e grupit të PD me partitë opozitare do vijojnë edhe në dy ditët në vijim. Sot, grupi i punës së PD u zhvillua me Partinë Mundësia, të cilët si kusht themelor kanë që kandidati i dalë nga radhët e opozitës të mos jetë një figurë politike.

Pas takimit me PD, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri ka folur për mediat duke theksuar se e rëndësishme që këto negociata të përfundojnë me sukses. Ai theksoi se emri i personit që do të përfaqësojë opozitën, duhet të jetë një personazh me integritet mbi palët dhe i distancuar plotësisht nga çdo akuzë apo çdo formë tjetër që cenon profilin politik dhe më tej të individit.

“Jemi dakord me parimin, nuk është i rëndësishëm emri. Ne nuk po vendosim asnjë kusht për emër, jemi te parimi. Kemi dhënë dhe ide të tjera. Për ne ka rëndësi parimi dhe nuk po bëjmë kushte për emrit. Do i qëndrojmë parimit. Po respektohet ky parim. Ne mendojmë që kjo është forma e vetme që mund të fitohet Tiranë dhe me emrin me integritet, një model i kundër me Manastirliut. Një njeri profesionist, publik, që i ka vërtet shanset”, tha Erald Kapri.

Pas Partisë Mundësia, PD do të takohet po sot edhe me partinë e Shpëtim Idrizit, i cili ishte në koalicion me PD edhe në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Deri më tani, takime janë zhvilluar me Fatmir Mediun e Partisë Republikane, Agron Dukën e PAA dhe Tedi Blushin e Partisë së Lirisë.

Pezull ftesën për negociata, selisë blu, ia ka lënë ende Adriatik Lapaj, i cili në zgjedhjet e fundit u rendit forcë e tretë. Me Lapajn, grupi i punës së PD ka zhvilluar një telefonatë, por ende nuk është lënë një takim konkret pasi Lapaj është në pritje të vendimmarrjes nga strukturat e Shqipëria Bëhet.

“Ne jemi të angazhuar me strukturat tona për vendimet që do marrim të cilat në çdo kohë do bëhen me dije", tha Lapaj për Report Tv. 

Ndërkohë, anëtari i grupit të punës së PD, Ilir Alimehmeti vetëm një ditë më parë ka zhvilluar takim me Endri Shabanin e Nismës Thurje, por të ende nuk kanë nisur zyrtarisht negociatat.

“Takim shoqëror, siç po them në mënyrë të vazhdueshme. Siç po them, partitë formale janë këtu me partitë përkatëse”, iu përgjigj Alimehmeti gazetarëve kur e pyetën për takimin me Shabanin.

Ndërsa PD është në kërkim të kandidatit, presidenti Bajram Begaj dekretoi datën 9 nëntor për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore në Tiranë dhe 5 bashkitë e tjera, ndonëse kryebashkiaku Veliaj e ka ankimuar shkarkimin e tij në Kushtetuese.

Ora 15:13
PD po shqyrton emrin e tij për kandidat në zgjedhjet e Tiranës, Hasimja: Ndihem padyshim i vlerësuar

1759324536_8000ScreenShot20191005at08.09.411.jpg

Ermal Hasimja

Politologu Ermal Hasimja ka mirëpritur faktin që emri i tij po diskutohet nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj si kandidat potencial për zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë Tiranë, nëse ato do të zhvillohen.

“Ndihem padyshim i vlerësuar që emri im është propozuar në listën e kandidatëve potencialë të opozitës për Tiranën dhe falenderoj ata që e kanë propozuar apo mbështetur idenë. Kur të marr (nëse marr) një propozim zyrtar do të mund të mendohem dhe të marr një vendim.

Më vjen mirë gjithashtu që dy emrat e tjerë në listë, Florian Hackaj dhe Edlira Cepani janë njerëz qe i vlerësoj maksimalisht dhe që do te ishin kandidatë të shkëlqyer për opozitën”,- shkruan Hasimja në Facebook.

K.B/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kandidat: 01/10/2025 16:39

    Çepani kandidate ideale per te marre bashkine

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si iu duket?