Politikë

PD vijon përpjekjet për bllokimin e procesit të numërimit, Logu: Duam prova që vota e Greqisë është vullnet i zgjedhësve

17 Maj, 12:01| Përditesimi: 17 Maj, 12:14

  • Share

 

Partia Demokratike nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga përpjekjet për të mos lejuar përfshirjen e votave të diasporës nga Greqia në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Pas vendimit të komisionerit shtetëror Ilirjan Celibashi për të lejuar numërimin e këtyre votave, PD vijon reagimet dhe veprimet për të bllokuar dhe kontestuar numërimin e votës së diasporës.

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Marash Logu, ka deklaruar për mediat se forca politike që ai përfaqëson ka ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë për të ndaluar këtë proces, ku ai thotë se presin prova nga operatori shpërndarës nëse vota ka qenë shprehje e vullnetit të zgjedhësve

‘Menjëherë sapo është zbardhur vendimi i komisionerit Celibashi, kemi ushtruar ankim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve, jo vetëm duke shprehur ankesën për këtë vendim por dhe pezullimin e këtij vendimi dhe jemi në pritje që KAS të mblidhet me urgjencë që të ushtrojë ndikimin tonë. Të gjithë numëruesit e PD që ndodhen në Parkun Olimpik kanë kontestuar çdo votë që ka ardhur nga Greqia pikërisht për pretendimet që ne kemi pasur dhe kërkesa jonë është shumë e qartë. Edhe kërkesa jonë është shumë e qartë, që deri në momentin që këto zarfe do provojnë që kanë ardhur personalisht nga zgjedhësit shqiptar që punojnë dhe jetojnë në Greqi do kërkojmë që të mos përfshihet në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.’  -është shprehur Logu.

Sipas tij, çdo kontestim është shënuar në procesverbal nga numëruesit e opozitës, të cilët vazhdojnë të ndjekin procesin me vëmendje dhe të raportojnë çdo parregullsi.

'Janë të kundërshtuar në procesverbalet e çdo numëruesi, pas çdo numërimi bëhet një shënim në procesverbal. Pavarësisht se vijon numërimi, në përfundim, numëruesit tanë, shënojnë në procesverbalet përkatëse të gjitha kontestimet që ne kemi pasur, përfshirë dhe kërkesën në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, pra dhe në tabelimin e rezultatit dhe kontestimet që do i vijnë komisionerit për rezultatin përfundimtar, ku dhe njëherë ne do të kemi mundësi të paraqesim të gjitha kërkesat tona, të gjitha pretendimet tona duke kërkuar që për çdo zarf i cili nuk provohet në mënyrë të pakundërshtueshme që ka ardhur nga zgjedhës shqiptar që punojnë dhe jetojnë në Greqi të mos përfshihet në rezultatin e zgjedhjeve.' - vijon ai.

Logu shton më tej se mungesa e provave të pakontestueshme për vullnetin personal të zgjedhësve e bën të justifikueshme heqjen e këtyre votave nga rezultati final, veçanërisht nëse ato ndikojnë në ndarjen e mandateve.

'Nga ana tjetër, është e mundshme në fakt sepse nëse ti kupton sasinë e votave nga Greqia që kanë ardhur nga operatori postar nuk ka provë të pakontestueshme se janë shprehje e vullnetit personal të zgjedhësit, sigurisht që nëse ato bëjnë diferencë në mandat hiqen nga rezultati përfundimtar pavarësisht se të kujt janë. Pra ato që nuk do provohen që janë shprehje të vullnetit të zgjedhësve që jetojnë në Greqi dhe kjo është tërësisht e mundshme. Ne nuk kemi hequr dorë për të mbrojtur vullnetin e zgjedhësve.'- përfundoi  Marash Logu.

Pak më parë është zbuluar dhe njoftimi i Partisë Demokratike për çdo numërues të votave të diasporës që të kontestojë në procesin.


Lajmi kryesor:

Diaspora/ Nis numërimi i zarfeve nga Greqia! PD: Kontestojmë çdo votë nga shteti grek, të mos përfshihen në rezultatin përfundimtar


H.K/I.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Samiti europian, besoni se do forcojë rolin ndërkombëtar të Shqipërisë?