Botimi përgjimeve të hetimeve mbi Ndrangheta-n nga Prokuroria e Catanzaros, u mendua se do t’i jepte një dimension tjetër rrjedhës së fushatës elektorale. Nuk do kish dhuratë më të mirë për PD-në, që pikërisht tani në prag zgjedhjesh të dilnin përgjime që do të implikonin maxhorancën në përfshirje aferash me biznesmenë që kanë lidhje me mafian. Dhe në fakt, menjëherë pas botimit të parë të tyre, nga selia e PD nisën bubullimat se maxhoranca është përzier me krimin. Cila opozitë nuk do ta bënte këtë gjë? Në fakt, ndërsa po ndiqnim këtë zhvillim të ri, po prisnim se ku dhe sa thellë do të shkonte çështja pas botimeve të reja të përgjimeve. Por, pas çdo botimi të ri nga pjesëzat e përgjimeve, kjo pritshmëri u shfry si një tollumbace e shpuar. Me këtë ritëm shfryrjeje, nisën të bien edhe tonet e deklaratave nga selia e PD.
Pas gjithë atij shfrimi, duket se ka një keqardhje se përse socialistët nuk ishin përlyer. Kish keqardhje se përse biznesi i mafies kish mbetur vetëm në planet e tyre të vitit 2017, porse nuk ishte materializuar ndërhyrja në ekonominë shqiptare. Si të thuash, opozitës do t’i vinte mbarë që mafia të ish futur, ta kish bërë pis vendin, vetëm e vetëm që nga disa përgjime ajo të kish arritur disa përfitime elektorale.
Është e natyrshme që nëse kjo të kish ndodhur duhej të reagonim të gjithë, e jo thjesht për efekt elektoral. Nuk është e thjeshtë ta çrrënjosësh diçka si mafia, që arrin të shtrijë rrënjë të thella kudo, në ekonomi, në media, në politikë. Por, ndërsa po ndiqnim vijimin e përgjimeve nën daullet luftarake të PD, se qeveria është lidhur me mafian, ndien një lloj revolte se po të fyejnë inteligjencën. Imagjino që përkufizohen si Ndrangheta disa biznesmenë të vegjël, që bëjnë videokonferenca se si të investojnë në Shqipëri, në cilën fushë ka më shumë interes dhe si të gjejnë para për t’i investuar ato. Epo mafia nuk bën këto lojëra me biseda të gjata. Më e shumta, të ngjan me skemën e njohur në këto vite ku biznesmenë të vegjël aventurojnë drej vendeve në zhvillim për të përfituar nga mundësitë që u krijohen, dhe për këtë mundohen të gjejnë fonde andej-këtej, fonde këto qoftë edhe nga organizatat kriminale. Nëse njëri prej të përgjuarve duket se është ai që gjen tregje të reja se ku do investojë e zbardhë paratë Ndrangheta, të tjerët duket se i vijnë rrotul për ta joshur në drejtimin që u intereson, e për të finacuar projektin e tyre në Shqipëri.
Që kjo gjë mund edhe të kish ndodhur, dhe që fonde të Mafias do të kishin mundur të investoheshin në Shqipëri, nuk do të ishte e habitshme. Por nëse kjo do të ndodhte, e sigurt do të ishte që këta personazhe tashmë do të ishin të njohur për të gjithë, qoftë edhe nga media që do t’u merrte reklamë. Për fat, kjo iniciativë, e dalë në përgjime që në vitin 2017, mbeti jetime dhe këta biznesmenë mbetën në biznesin e tyre të vogël. Them të vogël, jo thjesht se gjithçka mbeti në nivelin e një dyqani rrobash, por se vetë mentaliteti i tyre të të bërit biznes dukej i vogël dhe hilacak. Për këtë mjafton të përmendim se, sidoqoftë, Shqipëria nuk është më në nivelin ku vihet me të pyetur se ku mund të investosh. Tashmë, në vend ka studio të specializuara ndërmjetësimi që ofrojnë një punë të specializuar. Dhe ku çdo biznes serioz u drejtohet atyre për të marrë informacion se ku mund të investojë, si është kuadri ligjor në atë fushë, sa është norma e taksave për to, e kështu me rradhë. Bisedat se kam folur me njërin e më ka thënë se kështu operohet në Shqipëri, qoftë ky biznesmen apo i njohur në avion, janë aq të vjetëruara sa zor se mund të merren seriozisht.
Gjithsesi, kjo hap një tjetër parantezë. Që politika shqiptare mbetet ende e vjetëruar në formën që kërkon të ngrejë një kauzë. Dëshira për ta mbajtur gjallë me zor këtë çështje nga ana e PD, kur tashmë po bëhej e qartë se gjithçka ishte një flluskë, është jo thjesht demagogji, por edhe papërgjegjshëmri, si ndaj qytetarëve që u drejtohesh, por edhe ndaj vendit. Që preferon ta shohësh të zhytur në krim vetëm për ta përdorur si argument të mjerë për të synuar pushtet.
PS korrupsion dhe do humbase ne zgjedhjet e 25 prillit
Përgjigju