PD-ja e ndarë në zgjedhje, Duka në Report Tv: 6 marsi është mësim për ta! Ka ende kohë dhe mund të arrihet në konsensus

7 Nëntor 2022, 20:15| Përditesimi: 7 Nëntor 2022, 20:57

  • Share

Kreu i Partisë Agrare Ambinetaliste Agron Duka thotë për Report Tv se zgjedhjet e 6 marsit janë një mësim për Partinë Demokratike, një arsye se pse dy grupimet opozitare duhet të dalin me kandidatë të përbashkët. I ftuar në emisionin “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj, Duka thotë se dhe vetë mbështetësitë e PD-së duan që të përfaqësohen me kandidatë të përbashkët.

“Ideja është të dalim me një kandidat, dalja me dy kandidatë çorienton votuesit. Në bazë, në realitet, njerëzit dëshirojnë bashkimin. Dy pjesët e PD-së kanë të njëjtin shqetësim. Pësimi në 6-mars është kthyer në mësim për PD-në.”

Edhe pse negociata në PD, dështuan, Duka shprehet besimplotë se do të arrihet një konsensus për të dalë me kandidatë të përbashkët.

“Ka kohë, mund të gjendet një konsensus. Terreni nuk duron dy kandidatura brenda opozitës. E vetmja rrugë shpëtimi është të dalim me një kandidat. Përcaktimi nga baza është se Berisha ka mazhorancën. Mazhorancën e kanë këta, Meta dhe Berisha. Kanë eksperiencë dhe dinë të tërheqin aleatë.”, tha Duka.

Kandidati që do zgjidhet ka tepër rëndësi, pasi sipas Dukës ai ka 80% të peshës në garë në raport me partinë.

“Të bëjmë sa më pak të dëmshëm ata që nuk bashkojnë opozitën. Duhet të bashkojmë të gjitha forcat opozitare. Duhet të marrim vendoret njëherë. Nëse gjejmë figura përfaqësues, do të kemi një garë të fort për pushtetin vendor. Peshën e ka 80 % e ka kandidati dhe 20 % partia.”, u shpreh Duka.

Negociatat mes grupit të Berishës dhe grupit të Alibeajt në PD për të dalë me një kandidat në zgjedhjet vendore, dështuan, ndërsa dy grupimet janë më të përçara se kurrë. Grupi i Alibeaj deklaroi se negociatat dështuan pasi pala tjetër kërkoi që të njihej statuti i dhjetorit, pra Sali Berisha si kryetar i PD. Por Berisha në reagimin e tij paralajmëroi se kush prek flamurin e PD i ka bërë llogaritë gabim. Ndërsa negociatori i rithemelimit Edi Paloka tha se grupi i Alibeaj ishte i pasinqertë, pasi gjatë bisedimeve vazhdoi të bashkojë votat me Ramën.

S.C/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?