Foto nga Kuvendi Kombëtar i PD

PD-ja ka nevojë për meritën dhe të drejtën si parime hyjnore

18 Dhjetor 2021, 23:08| Përditesimi: 18 Dhjetor 2021, 23:11

  • Share

Në 13 qershor të këtij viti u mbajtën zgjedhjet për kryetar të PD-së, ku, veç Lulzim Bashës, morën pjesë në garë edhe tre kandidatura të tjera. Në ato zgjedhje u pozicionova hapur në krah të zotit Shehaj. Padyshim qe kisha motivet e mia, që perfshijnë dhe një pakënaqësi ndaj lidershipit aktual. Edhe pse e kam të qartë prej kohësh që në partitë tona të mbash qëndrime të hapura mund të penalizohesh, personalisht e kam zgjedhur si të vetmen rrugë për të ecur në jetë.

Gjatë javëve të fundit, në të cilat demokratët janë perfshirë në debatet që i njohim të gjithë në këtë sallë, më ka ndodhur shpesh që më kanë anatemuar si mbështetës të zotit Basha.

Ndërkohe që të tjerë, që deri katër muaj më parë më quanin “armik”, më akuzonin si kundërshtar të partisë dhe bënë gjithçka që kryetari në detyrë të rikonfirmohej, sot çuditërisht i shoh dhe i lexoj më agresivët dhe në radhën e parë të sulmit ndaj Lulzim Bashës.

Por çfarë ka ndodhur në këto 4 muaj? Çfarë ndodhi me zotin Basha në këtë periudhë të shkurtër kohore që nga mik u shndërrua në armik! Nga i mirë u bë i keq! Nga hero u bë tradhëtar!

Zgjedhjet për kryetar PD-je, kur ata ishin në krahë të kryetarit, u bënë pasi ai dhe PD-ja i humbi zgjedhjet. Zgjedhjet për kryetar PD-je u mbajtën pasi Basha kishte marrë ato vendime për të cilat sulmohet sot.

Asgjë nuk ka ndryshuar deri nga ajo kohë.

Nëse ka qenë vendimi për të pezulluar zotin Berisha nga Grupi Parlamentar ajo që i ka egërsuar, për mua kjo nuk është arsye.

Përkundrazi!

Unë kam qenë i bindur se zoti Berisha e ka mbyllur një herë e përgjithmonë ciklin e tij politik, me të mirat dhe të këqiat e tij.

Kush nuk e kupton këtë, të mos i kërkojë llogari Lulzim Bashës se përse nuk vjen PD-ja në pushtet.

Më duhet të pranoj këtu, përpara jush, sepse besoj se edhe shumë prej jush e kanë pranuar se, Sali Berisha ka vlera në pluralizmin politik në vend, siç ka edhe gabime.

Mirëpo, ai nuk mund ta mbajë peng PD-në dhe ta përdorë për qëllime personale, duke e parë si pronë vetjake.

Partia Demokratike nuk është as e tij, as e Lulzim Bashës. Madje, PD nuk është as vetëm e militantëve, meqenëse shpeshherë përmendet një gjë e tillë.

PD është pasuri e qytetarëve shqiptarë, është edhe e atyre që do vijnë më vonë në këtë forcë politike.

Partia Demokratike ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë mjet që vë në lëvizje pluralizmin, që do të garantojë funksionimin e demokraciës në Shqipëri.

Sot, lehtësisht unë mund të kisha arsyet e mia për të qenë kundër Lulzim Bashës.

Sot do ishte momenti i duhur që edhe unë të zbrazja të gjithë batarenë e vrerit dhe të inatit ndaj tij.

Madje, të kërkoja llogari se përse nuk u bëra unë deputet, edhe pse isha një nga emrat më të propozuar nga anëtarët e PD-së në Berat.

Edhe unë kam dashur të bëhem kryetar bashkie, dhe kam qenë një ndër emrat më të lakuar në 2015.

Edhe unë kam dashur të bëjë karrierë në PD, mirëpo mundësitë e mia shpesh kanë ndalur në portën e kreut të PD-së, apo në disa zyra të tjera, pa dalë kurrë qartë se përse unë nuk mund të isha.

Nëse do isha inatçor, nëse do më pëlqente të mos shihja përtej hundës sime, ky do ishte momenti i duhur për të ngritur akuza. Ndoshta dhe momenti i duhur për të zbrazur mllefin dhe për të projektuar të ardhmen time politike aty ku të gjithë kanë për qëllim vetëm të largojnë Bashën.

Por jo! As nuk kam qenë, as nuk jam, as nuk kam për të qenë njeriu që e sheh partinë vetëm të lidhur me atë që më ndodh mua.

Unë po ua them sot këtu, që personalisht për mua nuk është qamet i madh, nëse Lulzim Basha nuk do jetë kryetar PD-je.

Por unë nuk mund të jem dakord kurrë që të kemi një demokraci pa ligje dhe rregulla.

Sot do doja të isha në Tiranë për të protestuar për rrëzimin e qeverisë. Nuk është se jam i apasionuar me protestat, edhe pse kam marrë pjesë në çdo protestë, të thirrur dikur nga Berisha, më pas nga Basha apo shoqëria civile.

Sot edhe drejtësia që vet Edi Rama ka pasur kujdes ta kontrollojë, nuk arrin ta mbrojë më këtë qeveri, pasi ajo nuk ka vetëm një tra të kalbur, por është e gjitha nën pushtetin e krimit, korrupsionit dhe të klientelizmit.

Në mënyrë paradoksale me dëshirat e mia, ndodhem në këtë sallë me shumë demokratë të tjerë, duke parë me trishtim se si një pjesë e jona, me të cilën kemi bashkudhëtuar në gjithë këto vite, ka kthyer “armët” ndaj nesh.

Ne kishim dëgjuar se sa e ashpër është beteja brenda llojit, por nuk kam besuar kurrë se, një pjesë e jona do sulmohej kaq shumë, kaq ashpër, e ndonjëherë në mënyrë të tillë sa të ndjehemi të turpëruar në qytetet tona, se si është e mundur të kemi pasur kaq mllef për ata me të cilët kemi bashkëndarë beteja politike.

Unë dua të bëjë thirrje nga kjo sallë, se ne kemi nevojë për rregulla demokratike, por, njëkohësisht, edhe për një marrëdhënie të re të lidershpit me çdo demokrat, me çdo qytetar shqiptar, që nuk aprovon një qeveri që i tallë çdo ditë.

Ne kemi nevojë për sistemin e meritokracisë, si një parim suprem, që i jep kujtdo të drejtën, jo si mjet për të vendosur barazi, siç e propagandon e majta dhe as si mjet që rregullon apo mbron interesat personale, siç e propagandojnë pragmatistët.

Ne kemi nevojë për meritën dhe të drejtën si parim hyjnor!

Zoti Basha ka meritat dhe gabimet e veta. Ne ia njohim! Disa kanë zgjedhur t’ia thonë privatisht, disa i pëshpërsisin nëpër tavolina apo rrjete sociale dhe të tjerë, ku fus edhe veten, i thonë publikisht.

Ndoshta kjo që ndodhi do të jetë një mësim i mirë edhe për të. Një mundësi e re për t’u larguar nga dualiteti që të gjithë ne e dimë që ka ekzistuar dhe e ka dëmtuar PD-në.

Ky ështe shanci i madh, por ndoshta dhe i fundit i tij, për të na treguar se do të jetë një drejtues modern, mendjehapur dhe sfidues. Larg mendësisë bolshevike dhe shpalljes si armiq të të gjithë atyre që mendojnë ndryshe.

Koha është treguesi më i mirë për këtë.

Ndoshta kemi kaluar shumë kohë në opozitë, lodhja dhe humbja e durimit kanë bërë të vetën.

Ama, është e qartë se dita e sotme është një kapitull i ri për ne, për këtë parti dhe për ata që do marrin përsipër drejtimin e saj në këtë rrugë të gjatë dhe të vështirë të mandatit të tretë të Edi Ramës.

Kjo kërkon që të jemi të fortë, të bashkuar, por edhe të aftë e të lirë për të dhënë kontributet dhe mendimet tona brenda forumeve të partisë.

Në qoftë se nuk jemi të drejtë brenda nesh, nuk do jemi as me shqiptarët.

Në qoftë se nuk respektojmë të drejtën, atëherë do të biem në cinizëm dhe do të kemi probleme në të ardhmen.

*Fjalë e mbajtur në Kuvendin Kombëtar të PD-së, më 18 dhjetor 2021

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?