Përgjatë ditëve të fundit, të gjithë deputetët e PD-së, përfshi edhe Sali Berishën, kanë pasur si tezë kryesore të fjalës së tyre idenë që nuk do të bojkotojnë mbledhjen.
Të gjithë pa përjashtim, madje edhe Berisha sot u kujdes disa herë ta theksonte, i mëshonin pikërisht kësaj ideje.
Në çastet kur askush nuk po e akuzonte PD-në se po bojkotonte zgjedhjet, një tezë e tillë dukej krejt e pakuptimtë, mirëpo e vërteta e ‘mosbojkotit’ u shfaq sot, bash pas mbledhjes së kryesisë, kur Berisha dora vetë do të deklaronte se kjo parti nuk do të nxjerrë kandidatë (edhe pse renditi nja tre emra pret të vetëshpallurve nga radhët e PD-së), sepse do të mbështesë kandidatë të pavarur nga shoqëria civile.
‘Djalli’ i deklarimeve për mosbojkot qenka fshehur pikërisht te një bojkot i tjetërfartë. Nuk është ‘klasik’ si ata të mëparshmit, por është më i latuar dhe më hileqarë.
Përveçse PD në një farë kuptimi me këtë pranon se ajo është e vetëdijshme se shoqëria nuk e pranon atë dhe figurat e saj, arsye tjetër është se pas rezutatit shpartallues të 11 Majit struktura e kësaj partie është inekzistente, e çorganizuar, e pamotivuar dhe e raskapitur nga marrëzia e lidershipit të vet.
Dikur thoshin ‘më mirë djepi bosh se sa shejtani brenda’, sot thonë nuk do bojkotojmë, por nuk nxjerrim kandidatët tanë, do mbështesim kandidatët e shoqërisë civile.
Një pushtet hilqear, është ‘normal’, sepse është karakteristikë e pushtetit për të qenë e tillë, por një opozite që është edhe ‘hileqare’ edhe e pamoralshme me të vërtetën dhe të drejtën, është një kambanë alarami për krejt shoqërinë, e cila është në këtë rast dyfish e tradhëtuar.
Komente
