Bruksel - Parlamenti Evropian, përmes një rezolute të veçantë, do të kërkojë hetime të pavarura ndërkombëtare për parregullsitë e raportuara gjatë zgjedhjeve në Serbi. Kjo rezolutë pritet të votohet këtë të enjte në një seance plenare të PE-së në Strasburg thotë Radio Evropa e Lirë.
Në tekstin e draftit të rezolutës thuhet se Serbia nuk ka siguruar zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve dhe normave ndërkombëtare, dënohet mungesa e pluralizmit politik, favorizimin e partisë në pushtet, Partisë Progresive Serbe nga ana e mediave gjatë fushatës, fushatat e shumta të dezinformimit, në të cilat, përpos mediave pro-qeveritare ishin përfshirë edhe struktura të Rusisë. Ndër parregullsitë Parlamenti Evropian përmendet edhe sjellja në mënyrë të organizuar të votuesve nga vendet tjera, posaçërisht nga Bosnja e Hercegovina.
Në draft-rezolutë dënohet përdorimi i tepruar i forcave policore në Serbi ndaj protestuesve gjatë protestave kundër parregullsive në zgjedhje. Deputetët e Parlamentit Evropian dënojnë edhe sulmet verbale nga përfaqësuesit e pushtetit në Serbi ndaj vëzhguesve nga BE-ja. Dënohet gjuha kundër BE-së që është përhapur në Serbi nga mediat e afërta me partinë në pushtet ku përmendet se kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, i ka falënderuar publikisht shërbimet e Rusisë për informata rreth protestave, të organizuara nga opozita në Serbi.
Parlamenti Evropian ka kërkuar nga Komisioni Evropian që të shqyrtojë edhe pezullimin e fondeve të BE-së për Serbinë nëse dëshmohet se autoritetet e Serbisë kanë qenë direkt të përfshira në manipulimin e rezultateve zgjedhore. PE po ashtu kërkoi që edhe negociatat e anëtarësimit të Serbisë me BE-në të lidhen me reforma, përfshirë edhe me adresimin e problemeve me zgjedhjet. Pa këto, u tha në tekst, nuk do të duhej të vazhdojnë negociatat.