75 Vjetori i Çlirimit të Atdheut është një ngjarje e madhe historike për kombin shqiptar dhe nëntori do jetë muaji i përkujtimit. Ato e patën nisjen kur u shfaqën të vendosura 92 portrete, ngritur në lartësitë mbi bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, prej sheshit “Nënë Tereza” deri në afërsi të sheshit “Skënderbej”. Janë të heronjve e dëshmorëve tanë të rënë në betejat me armiqtë nazifashistë në Luftën e Dytë Botërore. Prej tyre të shohin fytyra rinore, herë-herë me qashtërsi ende njomzake, të qeshur e me ndriçimin e syve që u shihnin lirinë. Me pak përjashtime, janë pothuajse të gjithë 20 vjeçarë. Vajza e djem në lule të moshës, një Margaritë e një vëlla Kristaq, që ndrisin me bukurinë e tyre si yje; një Memo luftëtar e poet; një Gjylbeg që i bën nder jo vetëm kësaj familjeje të shquar, por gjithë Shqipërisë...
Nisma është për t’u përgëzuar, nëse nuk mbart brenda saj hipokrizi. Në praktikë, deri më tani, sjellja e qeveritarëve ndaj Luftës Nac-Çlirimtare ka mbartur gjithë elementët e oportunizmit dhe harresës, madje dhe poshtërimit. Të gjithë këta emra që zbukurojnë bulevardin për të përkujtuar 75 Vjetorin e Çlirimit të Atdheut, u shpallën do kohë më parë nga një institut shtetëror si kriminelë. Qeveria atë kohë nuk e mori mundimin të dilte e të thoshte se instituti i tyre ka përdhosur kujtimin e dëshmorve; të urdhëronte heqjen nga përdorimi të botimit të turpshëm; të ndërmerrte nismën ligjvënëse për të mos lejuar këta nëpunës të shtetit të fusin hundët në periudhën e luftës për çlirim nga aleatët e ballistëve dhe të vinte para përgjegjësisë ata që duan të ndryshojnë të vërtetën përmes fyerjeve, mashtrimeve e gënjeshtrës.
Ata luftuan për atdheun e tyre, i shërbyen duke derdhur gjakun. Me heshtjen qeveritare, kur komandantët e tyre u shpallën kriminelë, duke u mohuar mbrojtjen, i mohuan atdheut të drejtën, të ndershmen. Ata jetuan për Shqipërinë dhe ranë theror për të.
Por zgjedhjet nuk janë larg dhe shtresa e popullatës që ka qenë e lidhur me historinë e luftës, ku u rreshtuan 70 mijë partizanë, shihet të jenë hambari i votave për PS. Atëhere, “...po sikur të shpenzojmë ca para, për ta mbajtur ketë shtresë të popullatës të lidhur pas një partie që “kujdeset e nderon dëshmorët”!? Kjo “hamendje” stiset prej disa muajsh në kokat e krerëve të PS. Nëse kjo parti dhe kryetari i saj, z. Edi Rama, do marrin ndonjë ndëshkim spektakolar në zgjedhjet e ardhshme, kjo nuk do ju vijë nga opozita, nga Luli apo Monika. Për momentin ata nuk përbëjnë ndonjë faktor përcaktues serioz. Ndëshkimi do ju vijë nga dy veprime foshnjarake, të pamenduara, për të mos thëna aventuriere: e para, ngritja dhe përurimi me ceremoni shtetërore e një busti memeorial të ish kryetarit të Ballit Kombëtar, shërbëtorit të nazistëve, Mit’hat Frashërit; e dyta, nga përurimi i një memoriali të turpshëm për qytetarët turq të rënë në grushtin e shtetit.
Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare pa mëdyshje përbën faqen më të ndritur të kombit. Shqipëria, që ra nën robërinë e fashizmit italian, humbi pavarësinë dhe njerëzit, së bashku me të humbën edhe lirinë. Para pushtimit ushtarak, Shqipëria, e pushtuar ekonomikisht, ishte shndërruar në një vend vasal të Italisë, një protektorat i saj.
Pushtuesit dhe diktaturës së tyre të egër, nuk vonoi që populli t’i kundërvihej në mënyrë të hapur. Filloi lëvizja e armatosur e rezistencës, për dëbimin e fashistëve, e cila që në fillimet e saj u quajt Lëvizja Nacional-Çlirimtare. Frontit Kombëtar të kësaj lëvizjeje, fillimisht ju bashkuan edhe forca të tjera politike e organizime me orientim ushtarak, të cilat më pas e tradhtuan frontin dhe ju ngjitën okupatorit, si bashkëpunëtorë të tyre. Partizanët shqiptarë u njohën dhe konsideroheshin nga aleanca që luftonte kundër nazimit, si të vetmit luftëtarë antifashistë.
Qëllimi i shpallur i luftës Nacional-Çlirimtare ishte organizimi i luftës së armatosur e të pa kompromis kundër pushtuesit e nazifashizmit, deri në çlirimin e plotë të tokave të shtetit shqiptar. Radhët e formacioneve partizane u mbushën me fshatarë e punëtorë nga gjithë Shqipëria. Gjermanët dhe forcat e Ballit Kombëtar, në dimrin e ashpër të vitit 1943-1944, ndërmorën një ofensivë të përbashkët kundër popullatës së pa mbrojtur dhe reparteve partizane në male, ku makineria e armatosur deri në dhëmbë e Vermahtit, dështoi në orvatjet për shtypjen e zhdukjen e lëvizjes. Betejat me partizanët i humbën. Një tjetër ofensivë nazisto-balliste, operacioni i qershorit, dështoi. Filloi çlirimi njëra pas tjetrës, nga Jugu në Veri, i krahinave, në të cilat u vendos pushteti i Këshillave Nacional-Çlirimtare.
Pjesëmarrja në luftë e shqiptarëve, në raport me popullsinë, ishte nga më të lartat në Europë. Partizanët, beteja pas betejash, filluan të çlironin me radhë qytetet shqiptare, në një prej të cilave, në Berat, në datat 20-23 tetor organizuan Kongresin Antifashist. Me çlirimin e qytetit të Shkodrës, Shqipëria u deklarua e lirë plotësisht, por lufta kundër nazi-fashizmit vazhdoi deri në Vishegrad të Jugosllavisë. Kryesia e Këshillit Antifashist NÇ vendosi më 9 nëntor të vitit 1945, kremtimin e datës 29 nëntor si festë të çlirimit të Shqipërisë.
Shqipëria ishte i vetmi vend europian, që u çlirua vetë, pa ndërhyrjen e trupave te huaja. Kjo luftë e lavdishme, i kushtoi vendit gjakun e jetën e 28110 dëshmorëve, bijë e bija të denja, që dhanë jetën në lulen e rinisë, të dhëna këto më se të sakta. Në kushtet kur lufta, heronjtë e saj dhe vlerat e kësaj kohe të lavdishme filluan të përdhosen, ashtu si dhe monumentet e muzeumet e të rënëve, nuk ngeli pa u përgojuar edhe shifra e të rënëve, që u deklarua në Konferencën e Paqes në Paris. Zoti Dalan Buxheli, në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës Kombëtare të Familjeve të Dëshmorëve, i ka bërë publike këto shifra, duke specifikuar në detaje gjithçka që kthjellon vendet ku humbën jetën dëshmorët shqiptarë, nga fushë-betejat e deri në kampet e shfarosjes në masë. Kush dëshiron të shuajë kureshtjen, përfshi dhe ballistët e të ashtuquajturit “Institut”, mund të shkojnë t’i shohin vetë listat e t’i verifikojnë.
Shqipëria e pas luftës ishte një vend i djegur e i zhuritur nga bombardimet, reprezaljet e hordhive pushtuese. Dëmet llogariten të ishin mbi 3 miliard dollarë. Mes tyre u shquan krahinat e Labërisë, Kurveleshit, Skraparit, Pezës, Mallakastrës e Mesaplikut, Korçës e
Kolonjës, ku, për të rënët, për sakrificat, për dëmet e pamata që pësuan në pasuri e katandi, mbeten lavdi e kombit. Jemi ndjerë e do ndjehemi kurdoherë krenar për historinë e nderin që na lanë!
Qindra vajza e gra që u rreshtuan në forcat partizane, shënuan fillimet e një ndryshimi revolucionar social të gjinisë femërore, shtresë mbi të cilën ka pas rënduar shtypja konservatore, vuajtja e mjerimi shekullor. Gratë partizane luftuan krah për krah burrave.
Humanizmi i lartë i popullit u pa kur Italia fashiste kapitulloi. Ndonëse kjo ushtri i kish vrarë e djegur, ushtarët e formacioneve të saj, tashmë të shthurura, u morën në besë nga populli, nuk u lanë të vdisnin rrugëve, u mbrojtën prej hordhive gjermane, u strehuan e ndanë me ta krothën e bukës, atë pak ushqim që mund të sigurohej në ato kohë të vështira, deri kur në fundin e luftës u dorëzuan në Vlorë e Durrës.
Roli dhe ndikimi që pati çlirimi i Shqipërisë nga Fronti Nacional-Çlirimtar ishte përpos se fillimi i një jete të re. Ai brez që e jetoi atë periudhë, i kujtohet mirë entuziazmi i popullit për të marrë fatin e vet në duart e saj; i kujtohet se si u ndërmor lufta vigane kundër analfabetizmit, se si rindërtimi i vendit u bë lajtmotiv i çdo qytetari.
Në vitet e pluralizmit politik, populli i vetëdijshëm la pas kohën e komunizmit. Kohë të reja erdhën dhe brezi i asaj periudhe, së bashku me fëmijët e tyre, ditën t’i përshtaten rrjedhës. Me rënien e një sistemi politik dhe ardhjen e një sistemi të ri politiko-ekonomik, pasuan ndryshime thelbësore. Kapërcimet drejt një sistemi të ri ekonomik, u shoqëruan me ndryshime të dukshme edhe në sistemin e vlerave, pasojat e të cilave u shfaqën me dhimbje në keqadministrimin e vendit. Dukuritë negative s’vonuan të sjellin shpejt kaosin e rënien e shtetit. Mes të tjerash, s’munguan e s’vonuan edhe mallkimet për Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
Parti politike të ekstremit të djathtë, partitë e rehabilituara e të ringritura të Ballit Kombëtar e të Legalitetit, me urrejtje e çjerrje fashiste bënë që pasionet e të kaluarës kriminale të etërve të tyre të përgojojë, shajë e përdhosë luftën nacional-çlirimtare, heronjtë e saj, ata që dhanë jetën për idealet e larta të luftës. Këta zuzarë, deri dje bashkëpunëtorë të nazifashizmit, e dinë mirë, e kanë shumë të qartë, që nëse populli ynë nuk do kish zhvilluar këtë luftë heroike, Shqipëria nuk do ekzistonte. Si “vend agresor”, cilësim që ja jepte Shqipërisë e ashtuquajtura “Bashkimi i Kurorave” me Italinë (kurorë që ishin baballarët tradhtarë të këtyre të ringjallurve fashistë, që ua dorëzuan në Romë 80 vjet më parë), vendi ynë, me gjasa, nuk do ekzistonte më. Do ishte copëtuar përfundimisht mes fqinjëve tanë lakmitarë, të cilët e kanë ëndërruar dhe vazhdojnë ta ëndërrojnë gllabërimin e tokave që na kanë lënë të parët.
Në historinë e nëpërkëmbur dhe historianëve të çoroditur s’munguan cilësimet për ta trajtuar luftën Antifashiste Nac-Çl. si luftë civile. Faqen e zezë dhe turpin e baballarëve të tyre nuk do jenë në gjendje ta lajnë dot, duke shfryrë urrejtjen ndaj luftës kundër fashizmit dhe të rënëve të saj. Ato ditë të lavdishme të luftës heroike na mbushin me krenari e dinjitet, sepse pasqyrojnë me vërtetësi qëndresën e pamposhtur të popullit tonë, ndonëse të vogël në numër, por madhështor në betejat kundër nazifashizmit e bashkëpunëtorëve kuislingë.
Në mbrojtje të tyre do jemi kurdoherë, ndaj në këtë përvjetor, atje ku prehen luftëtarët, ish ajka e rinisë së kombit, vetë populli do i hijeshojë me lulet më të bukura të stinës. Vendosja e një sërë portretesh të heronjve të kësaj lufte në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, le të jetë fillimi i një përkujtimi të denjë, pas një heshtje të mefshtë, mediokre e të pakuptimtë ndaj cilësimeve të ndyra që u bënë ballistët e “Institutit” komandantëve të luftës.
Populli ynë dhe Shqipëria dolën nga kjo betejë për liri më të fortë se kurrë ndonjëherë tjetër në historinë e tyre. Na përket të gjithëve të punojmë pareshtur, që faqja më e lavdishme e historisë së kombit, të shërbejë për forcimin më tej të unitetit kombëtar.
Lavdi të përjetshme dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë!
Tentativat per te shnderruar LANC ne lufte civile eshte provokimi me i rende qe u behet gjakut te heronjve. Por kur kane krye Ballistin kryeminister cfare nuk pret. Cenimi i LANC eshte rrezik i sigurise kombetare. Per kete duhet te reagoje cdo SHQIPTAR ,sepse ketu eshte vija e kuqeeee,MJAFT Demet e kesaj klase politike rrezikojne mbijetesen e shqiptarise. LE TE ZGJOHEMI se neser do na mallkojne BREZAT
Përgjigju